Përdorimi i bidonëve në aparat të kafes, Foto: Jetmir Hoxha/KALLXO.com

A po e përdorin ujin e çezmës për kafe dhe ushqim lokalet e gastronomisë në Prishtinë?

Ka më shumë se një javë ditë që në rrugën “Muharrem Fejza” dhe në afërsi të shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë, nuk është duke u përdorur uji për pije apo përgatitje të ushqimit.

Kjo për shkak të njoftimit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShP) se këto zona dhe të tjera të cilat furnizohen me ujë nga liqeni i Badovcit kanë rezultuar me vlera të larta të metalit të manganit dhe si pasojë nuk mund të përdoret uji për pije dhe as për gatim.

KALLXO.com ka vizituar bizneset e kryeqytetit për të kuptuar se a është duke u respektuar njoftimi i IKSHPK-së.

Disa prej tyre kanë zgjedhur ta furnizojnë aparatin e tyre të kafesë me anë të bidonëve me ujë të blerë, për t’i shërbyer me kafe klientët e tyre.

Ndërsa, disa të tjerë nuk e dinë se nga vjen uji në aparatin e tyre të kafesë dhe mendojnë se aparati e vlon ujin, dhe nuk paraqet problem të përdoret, pavarësisht njoftimit të IKSHPK-së.

Për ata që janë duke u furnizuar me bidonë, janë deklaruar se po shpenzojnë shumë për t’i blerë ato dhe kjo është shqetësuese për ta.

Elvis Beshiri, menaxher i njërit prej bizneseve që e ka vizituar KALLXO.com, thotë se janë duke u furnizuar me anë të bidonëve me ujë pasi përgatisin ushqim.

“Po, është shpenzim, faktikisht është shpenzim se dikun përafërsisht dikun deri 40, deri 50 euro vetëm ujë po duhet me ble tash, se po shkon shumë, për shkak se na kemi edhe prodhimin e bukëve, edhe çdo sen që po e bëjmë, po e bëjmë prej bidonave. Kështu që është një kosto, po shpresoj që së shpejti ka me u largu ky problem edhe mu kthy normalitetit” – ka theksuar Beshiri.

Për shkak të kësaj gjendje me ujin, Beshiri thotë se nuk janë duke i furnizuar me ujë klientët e tyre, siç i kanë shërbyer zakonisht më parë dhe se kjo situatë do të vazhdojë derisa të pranojnë njoftim nga IKSHPK.

Më 19 tetor, IKSHPK kishte njoftuar qytetarët për mospërdorimin e ujit në zonat e prekura nga liqeni i Badovcit.

Në anën tjetër, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka treguar se vlera e manganit është rritur për shkak të temperaturave të larta gjatë ditës dhe të ftohta gjatë natës si dhe për shkak të pranisë më të madhe të metaleve, pasi që Miniera e Kishnicës gjendet afër Liqenit të Badovcit.

Ndërsa, më 23 tetor kanë njoftuar se vlera e maganit ka rënë mirëpo kjo nuk do të thotë se uji mund të përdoret.

Zonat të cilat mbesin nën përcjellje të vazhdueshme për cilësinë e ujit për pije nga Fabrika e ujit në Badovc janë:

Qyteza e Graçanicës, fshatrat e Graçanicës që furnizohen nga ITUP Badovc, përveç fshatrave që furnizohen nga NJOU Lipjan, Hajvalia komplet, lagjet Veterniku, Lagjet 038 dhe të gjitha të tjerat që gravitojnë në brezin Graçanicë – Prishtinë, pastaj Lagjet Qëndresa, Qëndresa Home, Sëiss Village, fsh. Preoc, Çagllavicë, Rruga Behar Begolli, Richard Holbrooke, Qendra Albi Mall, Rruga Shkupi, Holger Petersen, Malush Kosova, objektet individuale nga rruga Malush Kosova, deri te “kisha në Matiçan”, zonat në drejtim të zonës industriale drejtimi për Lipjan, Lagja Qershia, Lagja NIC, zona afër Xhamisë në Veternik, Matiçan drejtimi nga Pallati i Drejtësisë, fshati ndërkombëtar, Mati- rruga Muharrem Fejza me të gjitha rrugicat drejtimi deri te QKUK, rruga Enver Maloku, objektet në lagjen Kodrina, objektet Tregtia, Iliria Building, objektet e Standardit (Sociale) dhe objektet e kyçura direkt në linjat magjistrale Badovc Prishtinë, rruga Ferat Dragaj, Hajrullah Abdullahu, Hilmi Rakovica, Vllezërit Gërvalla, Afrim Zhitija, Armend Daci, Dervish Rozhaja, Thimi Mitko, pjesa e zonës “te Xhambazët”, rruga Sali Nivica, Norbert Jokl, Thimi Mitko, objektet banesore në Bregun e Diellit zonat Qendër dhe zonat e tjera afër Qendrës Tregtare në brezin rrugor Xheladin Rekaliu deri te kryqëzimi i rrugës te konviktet, zonat afër shkollës Ismail Qemali, rrugët Mehmet Gradica, Hyzri Talla, Qamil Bala.