Foto: Ilustrim

A janë ndërtesat publike efiçiente në Kosovë?

Në emisionin “Kallxo Përnime” ku po debatohet për “Uljen e faturave të rrymës” është diskutuar nëse ndërtesat publike në vend janë efiçiente ose jo.

Shyhrete Abazi-Osmani, zyrtare për energji të efiçiencës në Drejtorinë e Urbanizimit, në Komunën e Prishtinës ka thënë se kjo komunë nuk ka të dhëna të sakta nëse objektet private në kryeqytet janë efiçiente ose e kundërta.

Ajo ka thënë se mund të flas vetëm për objektet publike të cilat iu janë nënshtruar procesit të rinovimit, e që këtu përfshihen disa Qendra të Mjekësisë Familjare, disa spitale, çerdhe e disa shkolla.

Mirëpo, ajo nuk ka dhënë ndonjë numër të saktë, ndonëse ka thënë se nuk është numri i madh.

“Ne kemi disa lista, disa të dhëna për objekte publike të komunës së Prishtinës të cilat iu janë nënshtru procesit të renovimit, për ato mund të flas. Nuk janë numër i madh, janë disa QMF, disa spitale, çerdhe, disa shkolle, por numri i tyre nuk është shumë i madh”, është shprehur Abazi-Osmani.

Abazi Osmani ka treguar, se në bazë të rregulloreve të reja, Komuna e Prishtinës do e ketë mundësinë e menaxhimit përmes rregulloreve për inspektim më të lehtë për të parë nëse objektet janë ose jo efiçiente.

Sa i përket objekteve të nivelit qeveritar, sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit Menaxhues në Fondin e Kosovës për Efiçiencën e Energjisë (FKEE), Naim Bujupi, çështja e eficiencës definohet me ligjin e ndërtimit.

“Kjo definohet me ligjin e ndërtimit, aty thuhet se ndërtesat e reja publike të kenë konsumin afër 0”, ka thënë ai.

Tutje Bujupi ka shtuar se kur konsumi është afër zero, atëherë i bie që performanca e ndërtesës është shumë e lartë.