A i duhen Kosovës inspektorët administrativë dhe kush mund të inspektohet prej tyre?

Më 18 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, nisi konsultimet publike për Projektligjin për inspektim administrativ.

Ministria e udhëhequr nga Xhelal Sveçla po dëshiron ta themelojë një inspektorat administrativ, i cili mund të inspektojë nëse punëtorët po e kryejnë punën mirë në secilën ministri apo agjenci ekzekutive.

Projektligji parasheh që inspektorët administrativë të kryejnë inspektime pa paralajmërim nëpër institucione shtetërore, të kenë qasje në objekt dhe dokumente pa kufizim dhe pa marrë parasysh oraret e punës.

E zyrtari publik që shkel ligjin është paraparë të dënohet me gjobë 500 euro, kurse subjekti i inspektuar (institucioni) deri në 3 mijë euro.

Shehrie Leci-Rudari, zëvendësdrejtoreshë për menaxhimin e zyrtarëve publikë në Ministrinë e Administratës Publike ka thënë se themelimi i trupës inspektuese për administratën publike ka qenë i nevojshëm për disa arsye.

“Nevoja për këtë Projektligj është parë për të rritur efikasitetin e punës në administratën shtetërore, që çdo zyrtar t’i kryejë punët me përgjegjësi dhe efikasitet, ashtu siç e ka edhe të nënshkruar aktin e emërimit. Është paraparë pra ky Projektligj për ngritjen edhe të llogaridhënies, për çdo zyrtar ta kryejë punën e tij në pajtim me dispozitat ligjore”, ka thënë ajo në emisionin “Kallxo Përnime”.

Por, Leci-Rudari ka thënë se me këtë Projektligj nuk do të preket niveli lokal i qeverisjes.

Shehrie Leci- Rudari, zv. Drejtoreshë për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë Ministria e Administratës Publike

“Duhet ta kemi të qartë, pasi është thënë në media që do të përfshijë edhe nivelin komunal, me keqardhje them që duhet të lexohet ligji, ligji nuk e përfshin nivelin komunal. Ligji përfshin institucionet e administratës shtetërore, ku hyjnë Zyra e Kryeministrit, ministritë, agjencionet në kuadër të ministrive si dhe degët lokale në kuadër të ktyre agjencive, komplet administratën shtetërore”, ka thënë ajo.

Por, me këto komente nuk është pajtuar kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

“Siç thuhet në këtë Projektligj, këtu hyjnë edhe komunat, zyrtar publik është edhe kryetari i komunës, anëtari i kuvendit komunal, drejtori komunal, këta të gjithë e deklarojnë pasurinë apo jo? Kështu na është thënë edhe kur është hartuar Ligji për zyrtarët publikë, nuk i prekim komunat. Ju pa konsulta me hisedarë po hartoni këso ligje”, ka thënë ai.

Ai tregoi se Projektligjin për inspektim administrativ e kanë kundërshtuar shumica e komunave të vendit.

Sazan Ibrahimi, Asociacioni i Komunave të Kosovës

“Kryetarët e komunave, njëzëri, nga 27, 26 kanë qenë kundër dhe kanë kërkuar që procedurat e këtij Projektligji të ndërpriten sepse ky ligj ndërhyn drejtpërdrejt në autonominë e pushtetit lokal dhe është vlerësuar se ka të bëjë edhe me shkelje të të drejtave të njeriut, nëse një zyrtar fotografohet në lokale apo ndërtesa”, deklaroi Ibrahimi.

Madje, ai tha se kryetarët e komunave nuk u ftuan as në diskutime nga MPB.

“Kryetarët e komunave kanë qenë të zhgënjyer pse nuk janë ftuar në konsulta publike, pse nuk është organizuar një debat sa i përket këtij Projektligji. Komunat nuk janë ftuar fare, në ueb-faqe me e publikuar është diçka tjetër grupet punuese janë diçka tjetër. Ne nuk e kemi problemin vetëm me këtë Projektligj, por me disa, administrata publike është mbyllur”, tha ai.

Për efektin e themelimit të inspektoratit administrativ është shprehur skeptik Naser Shamolli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Naser Shamoli, Grupi për Studime Juridike dhe POlitike (GLPS)

“Të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë i kanë këto praktika. Diskutimi që duhet të ngritet është në pikëpamje të arsyeshmërisë. Në administratën moderne, ku mbizotëron administrimi i mirë, supozimi është që kontrollet e brendshme të ndërtuara me legjislacion funksionojnë me përpikëri”, vlerësoi ai.

“Edhe nëse formohen mekanizma të tillë prapë nuk na siguron se do të funksionojë. Ideja është që duhet me i disiplinu me mekanizmat aktualë, me ngrit integritetin, avancu njerëz me meritë. Ne jemi duke e ngulfatur zyrtarin publik”, deklaroi Shamolli.

Në anën tjetër, Mursel Zymberi nga Sindikata e Shërbimit Civil ka kundërshtuar fort themelimin e inspektoratit administrativ.

“Shërbimi civil është i ndërtuar në mënyrë profesionale por po prishet më këso forma të ndërhyrjes sepse shërbyesit civilë këtë ligj e konsiderojnë si ligj të përjashtimit se forma më e lehtë është me u dhënë kompetenca  e përgjithshme një ministri, kompetenca e gjykatësit, prokurorit, policit etj. dhe në fund procedura ankimore me iu kthy te ministri. Kjo është krejtësisht e pabazë, panevojshme dhe e paarsyeshme”, tha ai.

Mursel Zymberi, Sindikata e Shërbimit Civil

“Qeveria duhet të kujdeset që t’ua paguajë hakun shërbyesve civilë, ata që s’e kanë kryer punën janë përjashtuar. Ky është ligj i përjashtimit”, deklaroi Zymberi.