Objekti i Qeverisë së Kosovës, Foto: Xheneta Murtezaj/ KALLXO.com

A e fshehu Ministria e Mbrojtjes përjashtimin nga “Defender Europe ‘23”?

Në orët e para të mëngjesit të së martës, përkatësisht në orën 03:51, zyra për media e Ministrisë së Mbrojtjes kishte njoftuar mediat se një aktivitet i ushtrimit “Defender Europe ‘23” është anuluar për shkak të zhvillimeve në veri.

Që nga e premtja, gjendja e sigurisë në veriun e Kosovës ka qenë e tensionuar. Serbët lokal po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur shqiptar në zyret e objekteve komunale.

“Ju njoftojmë se për shkak të situatës në veri të vendit, aktiviteti i paraparë për sot (DV DAY), në kuadër të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe ’23”, anulohet” – thuhej në njoftimin e orëve të para të mëngjesit të sotëm të Ministrisë së Mbrojtjes.

Në ora 10:40, Ministria e Mbrojtjes bëri një tjetër njoftim, këtë herë në Facebook. Sipas njoftimit, qëllimi nga ushtrimi “Defender Europe ‘23” është arritur.

“Ju njoftojmë se objektiva dyvjeçare e ushtrimit “Defender Europe ’23” për validimin e kapaciteteve të Regjimentit të Këmbësorisë është arritë, ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës po vazhdon aktivitetin e saj ditor në kuadër të bashkëpunimit me partnerët tanë strategjik” – thuhej në njoftim.

“1348 ushtarakët tanë kanë treguar profesionalizëm të lartë në mesin e 25 shteteve pjesëmarrëse të këtij ushtrimi, gatishmëri për të shërbyer përkrah aleatëve tanë në çdo mision të NATO-s, me qëllim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, rajon dhe më gjerë” – vijonte postimi në Facebook.

Por, disa orë më vonë, ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier tha se Kosova dhe Forca e Sigurisë janë përjashtuar nga ushtrimi fushor “Defender Europe ‘23”.

Sipas tij, kjo është njëra nga masat në formë sanksioni pasi Qeveria që drejtohet nga Albin Kurti nuk dëgjoi këshillat e ndërkombëtare.

“Udhëheqësit të Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë për të përjashtuar pjesëmarrjen e Kosovës në Europe Defender 23 që ndodhi gjatë natës dhe, siç e keni parë, sot nuk pati aktivitete të Defender 23 dhe as nuk do të ketë” – tha ai të martën për gazetarë.

“Për Kosovën ky ushtrim ka marrë fund. Jemi duke mendu për implikime tjera” – deklaroi ai.

 

Kriza në veri – Sanksione serioze të SHBA-së ndaj Kosovës, përjashtohemi nga Defender 23