Kadri Kastrati. Foto: REL

Përjashtimi nga “Defender Europe 2023”, flet ish-komandanti i FSK-së

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përjashtuar Kosovën, përkatësisht Forcën e Sigurisë së Kosovës, nga ushtrimi “Defender Europe 23”.

Këtë, të martën e konfirmoi Jeff Hovenier, ambasadori i SHBA-së në Kosovë.

Ky sanksion erdhi pasi, siç tha Hovenier, kryeministri Kurti refuzoi këshillat për t’i tërhequr policët specialë nga tre objektet e komunave, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Në një deklarim për KALLXO.com, ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, e ka quajtur “lajm të keq” për vendin dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës përjashtimin e FSK-së nga ushtrimi shumëkombësh.

“Lajm i keq. Ka qenë një mundësi shumë e madhe e FSK-së që të marrë një eksperiencë të jashtëzakonshme me ushtritë më të fuqishme të botës që të jetë pjesë e një ushtrimi më të madh në Evropë, edhe në Kosovë” – tha Kastrati.

“Ka qenë mundësi ushtarët të marrin eksperienca dhe përvoja në planifikim dhe ekzekutim të këtij ushtrimi, në koordinim me forcat e NATO-s, me forcat amerikane dhe shteteve tjera dhe për këtë arsye është humbur një mundësi shumë e madhe, që faktikisht amerikanët e kanë sanksionuar Republikën e Kosovës për përjashtimin e FSK-së nga ky ushtrim” – ka vlerësuar gjeneral lejtënanti në pension Kadri Kastrati.

Sipas Kastratit, pjesëmarrja e Kosovës dhe FSK-së në “Defender Europe ‘23” ka qenë një mundësi e mirë për ushtarët dhe vetë Forcën e Sigurisë.

“Më shumë se një vit e gjysmë kanë nisur përgatitjet, duke u punuar ka qenë, duke u bërë planet me aleatët tanë dhe aleatin kryesor, SHBA-në. Kjo i bjen që ka humbur shumë edhe për të ardhmen, edhe për ushtrinë, sepse synimi ynë është që të jemi pjesë e NATO-s dhe ky ushtrim ka qenë një mundësi e mirë. Kjo është një humbje për FSK-në” – tha Kastrati.

Kriza në veri – Sanksione serioze të SHBA-së ndaj Kosovës, përjashtohemi nga Defender 23