LDK reagon pas përjashtimit të Kosovës nga ushtrimi “Europe Defender 2023”
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas deklaratës së ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier se zyrtarisht Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.
LDK i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që në këto momente kritike për vendin dhe të ardhmen euroatlantike të zgjedhë maturinë politike para popullizmit afatshkurtër.
“Në vend të euforisë së grupeve partiake të zgjedhë rrugëtimin e vendosur euroatlantik të shtetit bashkë me aleatët. Arritjet historike të Kosovës, nga angazhimi ynë për liri, pavarësi e demokraci e deri tek përpjekjet e deritanishme për forcimin e shtetit, kanë shenjën e koordinimit dhe ecjes së përbashkët me aleatët tanë. Devijimi nga një ecje e tillë është devijim nga vet rrugëtimi euroatlantik, siç dhe është shërbim ndaj vetë kundërshtarit të shtetit tonë”- thuhet në deklaratën e LDK-së.
“Përjashtimi i Kosovës nga ‘Defender 2023’ është hap në këtë drejtim. LDK-ja nuk do të lejojë, për asnjë çmim, asnjë politikan e asnjë Qeveri, të rrezikojë themelet e shtetësisë”- theksohet në njoftim.
Lidhja Demokratike ka thënë se sulmet e bandave kriminale të drejtuara ndaj Policisë së Kosovës, gazetarëve raportues e ushtarëve paqeruajtës të KFOR-it tregojnë qartazi tendencat destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës.
“Sulmet e bandave kriminale të drejtuara ndaj Policisë së Kosovës, gazetarëve raportues e ushtarëve paqëruajtës të KFOR-it tregojnë qartazi tendencat destabilizuese të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, institucioneve tona e vet trupave të NATO-s me mision në Kosovë. Këto tendenca e këto veprime kanë qenë gjithmonë të njohura për Republikën e Kosovës”- janë shprehur ata.
Sipas LDK-së, e panjohur, zhgënjyese dhe së këndejmi e rrezikshme e me pasoja afatgjata për vetë shtetin, theksojnë se është qasja e Kurtit ndaj aleatëve ndërkombëtarë.
“Por e panjohur, zhgënjyese dhe së këndejmi e rrezikshme e me pasoja afatgjata për vet shtetin tonë, mbetet qasja e Kryeministrit, Qeverisë së Kosovës, dhe institucioneve të tjera drejtuese në raport me aleatët historikë të Republikës së Kosovës në trajtimin e këtij provokimi në Veri. Mungesa e koordinimit të ngushtë për ndërmarrjen e hapave politik në bashkërendim me shtetet mike, në veçanti në fushën e sigurisë, e ka vënë shtetin tonë, si rrallëherë më parë, në përplasje të hapur me aleatët më të mëdhenj”- ka deklaruar LDK.
“Nga përplasja me grupet kriminale në veri, Qeveria e Kosovës po përfundon në përplasje me vetë Perëndimin, duke rënë kështu në grackën e Serbisë. Reagimet e shteteve mike, kundër institucioneve të Kosovës, reagimet e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, BE-së e vet NATO-s, dëshmojnë pozicionin e rëndë diplomatik e strategjik në të cilin gjendet Kosova. Në një pozicion të tillë Kosova nuk është gjendur asnjëherë më parë”- thuhet mes tjerash në reagim.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka mbajtur konferencë për shtyp sot me disa media në Kosovë duke deklaruar që ka kërkuar urgjentisht nga kryeministri Albin Kurtit që të tërheqë Policinë e Kosovës komplet prej tri ndërtesave të komunave në veri të vendit, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Ambasadori Hovenier theksoi që në mungesë të reagimit nga Qeveria e Kosovës në këtë kërkesë të SHBA-së dhe në mungesë të çfarëdo shenje se Qeveria po punon në shtendosjen e situatës në veri, SHBA ka vendosur ta përjashtojë Kosovën nga ushtrimi i NATO-s “Defender Europe 23”.
Kriza në veri – Sanksione serioze të SHBA-së ndaj Kosovës, përjashtohemi nga Defender 23