
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Zhvillimet në veri, anulohet aktiviteti në ‘Defender Europe ‘23’
Tensionet dhe situata në veri të vendit ka bërë që të anulohen aktiviteti i paraparë për sot, “Dita e Vizitorëve” në kuadër të ushtrimit ushtarak “Defender Europe ‘23”.
Kështu ka njoftuar përmes një komunikate për media, Ministria e Mbrojtjes.
“Ju njoftojmë se për shkak të situatës në veri të vendit, aktiviteti i paraparë për sot (DV DAY), në kuadër të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe ’23”, anulohet” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes pa dhënë ndonjë detaj tjetër.
Aktiviteti ishte paraparë që të mbahet në fshatin Babaj i Bokës, në komunën e Gjakovës.
Në këtë ceremoni pritej të merrnin pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetar i Kuvendit, Glauk Konjufca, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, si dhe personalitete nga SHBA, Shqipëria, si dhe vendet tjera partnere.
“Europe Defender” është ushtrimi më i madh ku ka marrë pjesë Kosova dhe FSK, duke dëshmuar gatishmërinë dhe kapacitetet e saj ushtarake.
Objektivat kryesore të ushtrimit “Defender Europe” për Kosovë kanë qenë: ngritja e ndërvepruueshmërisë, rritja dhe zhvillimi i ndërveprueshmërisë me aleatët, validimi i kapaciteteve të para të këmbësorisë duke e realizuar ushtrimin fushor ku janë ushtruar detyrat sulmuese, stabilitetit dhe mbrojtëse, rritja e ndërvepruieshmërisë në aspektin e inteligjencës dhe marrëdhënieve civile ushtarake përmes pjesëmarrjes së pjesëtarëve.
Në Leposaviq dje gjatë tërë ditës ka pasur tensione në mes protestuesve dhe forcave të KFOR-it.
Këta të fundit kanë paralajmëruar të paktën dy herë protestuesit që të largohen por të njëjtit kanë refuzuar.
Ndërkaq në Zveçan ka pasur përleshje në mes KFOR-it dhe protestuesve. Si pasojë të paktën 25 pjesëtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar.
Protestuesit kanë hedhur mjetë shpërthyese në drejtim të pjesëtarëve të KFOR-it. Policia ka arrestuar pesë persona të dyshuar për këto sulme.