Vendosja e kamerave në qendrën e votimit në Zveçan/ Foto: Shkodrane DAkaj KALLXO.com

A e cenon fshehtësinë e votës vendosja kamerave prapa kabinave të votimit?

Gjatë votimit për ose kundër largimit të kryetarëve në katër komunat me shumicë serbe në veri, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan, për herë të parë në një proces zgjedhor që është organizuar në Kosovë, janë vendosur edhe kamera nëpër vendvotime.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, plani i saj për të vendosur kamera vëzhguese në vendvotime gjatë votimit për zëvendësimin e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të mbajtura më 21.04.2024, vlen për të “gjitha proceset e ardhshme” zgjedhore në vend.

“Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim”- kishte deklaruar zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezi më 11.04.2024.

Kamerat janë vendosur prapa kutive të votimit, pra kur një qytetar e plotëson fletën e votimit kamerën e ka të drejtuar nga kurrizi i tij.

Për mënyrën e vendosjes së kabinave të votimit, për ekipin e KALLXO.com më 21,04.2024 ka folur Fatmir Cacaj, kryesues i Qendrës së Votimit në fshatin Soqanicë të Leposaviqit, tha se është bërë për shkak të rregullave të reja të KQZ-së.

“Kabinat janë vendosur dhe ne kemi bërë organizimin e vendvotimeve sipas rregullave të KQZ-së. Rregullat e reja, ndryshimet ligjore të cilat janë bërë brenda KQZ-së, parashihet që kabinat e votimit të jenë në këtë formë. Nuk shihet nga prapa se çka po voton” – ka thënë Cacaj më 21.04.2024.

Ndërsa sa i përket pozicionimit të kabinave të votimit brenda vendvotimeve, në konferencë për media të mbajtur në ora 15:30 nga KQZ në lidhje me rezultatet e pjesëmarrjes në votim deri në ora 15:00 në katër komunat me shumicë serbe në veri, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se është vendosur që të ndryshohet, sipas tij, pas një analize që KQZ e ka bërë.

“Gjatë analizimit, KQZ ka vlerësuar se kjo mënyrë e pozicionimit të kabinave të votimit do të pamundësojë fotografimin e votës nga votuesi dhe absolutisht nuk cënon fshehtësinë e votës dhe po ashtu vendosja e kabinave në këtë mënyrë është model që përdoret në shumë vende të tjera, të cilat kemi pasur rastin që të shohim gjatë vëzhgimit të proceseve zgjedhore si KQZ” – tha Elezi para gazetarëve më 21.04.2024.

Elezi tha se ideja për të vendosur kamerat në vendvotime ka ardhur gjatë përgatitjes së akteve nënligjore të KQZ-së, pas miratimit të ligjit të ri të zgjedhjeve, gjatë vitit të kaluar. Gjatë konferencës për media Elezi më tej ka thënë se materialet apo imazhet që regjistrohen nga kamerat, do të fshihen së bashku me shkatërrimin e materialit zgjedhor.

“Mënyrat se si vendosen kamerat në vendvotime, pozicionimi i tyre bëhet në atë mënyrë që në asnjë rrethanë nuk cënon fshehtësinë e votës, pra shënimin e preferencës nga ana e votuesit. Gjithashtu, ndoshta një detaj tjetër që është me rëndësi, këto kamera që përdoren në vendvotime, pra regjistrimet në asnjë moment KQZ nuk i mbikëqyrë, nuk i monitoron regjistrimin apo funksionimin e këtyre kamerave online. Qasja në këto video mund të bëhet vetëm me vendim të institucioneve, KQZ-së, PZAP-it, prokurorisë apo gjykatave nëse ka ndonjë rast që trajtohet” – ka deklaruar Elezi gjatë konferencës për media më 21.04.2024.

Në emisionin KallxoPernime të mbajtur për votimet që janë zhvilluar veri, zyrtari i KQZ-së nga PDK, Arianit Elashani, ka thënë se kamerat nuk janë livestream dhe se në pamjet e këtyre kamerave ka qasje vetëm PZAP.

“Këto incizime ruhen dhe në momentet që ka një ankesë nga subjektet politike ose nga vëzhguesit. Vetëm PZAP ka qasje në këto pamje” – ka deklaruar Elshani në KallxoPernime më 21.04.2024.

Më tej ai ka treguar se kamerat e përdorura janë marrë në shfrytëzim nga Shqipëria dhe do të kthehen.

“Të gjitha pamjet do të asgjësohen, është procedurë e paraparë. Bashkë me fletëvotimet 60 ditë më pas” – ka shpjeguar më tej Elshani.

Ai ka treguar se mënyra e vendosjes së kabinave dhe kamerave në vendvotime është një praktikë që përdoret në Mal të Zi, Estoni, Letoni dhe vende perëndimore.

Për vendosjen e kamerave nëpër qendrat e votimit, kritika ka pasur Dusan Radakoviq nga organizata jo-qeveriare ACDC me bazë në Mitrovicë, i cili ka thënë se kamerat janë vendosur kundër rregullave.

“Pak më shumë kamera seç duhet të ishin parë. Në disa qendra votimi ku janë dy qendra votimi kemi parë 5-6 kamera dhe kjo është ndryshe nga rregullorja” – ka thënë Radakoviq, në një përgjigje për mediumin kosovar në gjuhën serbe Kossev.

“Kamerat janë vendosur në një mënyrë të çuditshme, sepse nuk mund të shihni se ku janë të orientuara. Në disa vende i drejtohet njerëzve që votojnë. Mendoj se edhe njerëzit që janë thellësisht të përfshirë në organizimin e këtij procesi nuk e dinë mirë se si duhet të ecë procesi dhe cili është qëllimi i tij. Mendoj se të gjithë po i përshtaten këtij sistemi të ri, që askush nuk e di se çfarë është”.

Në orën 19:00 të datës 21.04.2024 janë mbyllur të gjitha vendvotimet sipas KQZ-së. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar që gjatë votimeve për ose kundër largimit të kryetarëve shqiptarë nga funksioni në katër komunat me shumicë serbe në veri – Leposaviq, Zubin Potok, dhe Mitrovicë e Veriut kanë votuar vetëm 253 qytetarë, derisa në Zveçan asnjë votë e vetme, duke e cilësuar të dështuar këtë proces.

“Pra nuk është arritur 50% i domosdoshëm, andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar” – thuhet në njoftimin e KQZ-së në konferencën e mbajtur në ora 19:30 më 21.04.2024 pas mbylljes së vendvotimeve.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, numri i votave është si në vijim: në komunën e Leposaviqit kanë votuar 124 votues nga 13,674 apo 0.91%; në komunën e Zubin Potokut kanë votuar 18 votues nga 6,877 apo 0.26%; në komunën e Zveçanit nuk ka votuar asnjë votues nga 7,209 pra kemi 0% dhe në komunën e Mitrovicës së Veriut kanë votuar 111 votues nga 18,796 apo 0.59%.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit është 46 mijë e 556, apo 1 mijë e 461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit të mbajtura më 23.04.2023. Në Leposaviq janë 13 mijë e 674 votues, në Zubin Potok 6 mijë e 877 votues, në Zveçan 7 mijë e 209 votues dhe në Mitrovicën e Veriut 18 mijë e 796 votues.