A do të përfundojë këtë vit lufta në Ukrainë?

Mes përgatitjeve për një ofensivë ruse dhe një kundërsulmi ukrainas, skenarë të ndryshëm për mënyrën se si do të zhvillohet lufta shfaqen si të mundshëm.

Ka kaluar pothuajse një vit që kur Rusia filloi një pushtim të plotë të Ukrainës, duke mbjellë vdekje dhe shkatërrim në të gjithë vendin. Numri i luftës është i zymtë: mijëra civilë ukrainas të vdekur, dhjetëra mijëra ushtarë nga të dyja palët të vrarë, miliona të zhvendosur, qytete dhe fshatra të tëra ukrainase të rrafshuara me tokë.

Ndërkohë që kalojmë në vitin e dytë, të dyja palët po përgatisin ofensiva në shkallë të gjerë, me dhjetëra mijëra rekrutë të rinj dhe pajisje të reja të sofistikuara që dërgohen në vijën e frontit. Një gamë e gjerë skenarësh që janë të zbatueshëm në një masë të ndryshme mund të shpalosen këtë vit. E vetmja gjë që mund të parashikojmë me një shkallë të lartë besimi është se do të shohim gjakderdhje në një shkallë më të madhe se vitin e kaluar.

Objektivat e deklaruara

Në retorikën e tyre publike, Rusia dhe Ukraina duken të sigurta në fitoren e tyre, por duket se e përcaktojnë atë në terma të ndryshëm.

Qeveria në Kiev e ka bërë të qartë se qëllimi i saj është çlirimi i të gjitha territoreve ukrainase të pushtuara aktualisht nga Rusia, përfshirë gadishullin e Krimesë. Vetë presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka thënë në një intervistë në nëntor të vitit të klauar për një kanal televiziv çek se sapo ushtria ukrainase të arrijë fitoren, ajo do t’a bëjë pushimin e saj në ishullin e Krimesë.

Disa zyrtarë ukrainas kanë shkuar edhe më tej, duke e vënë theksin tek qëllimi i shpërbërjes së Federatës Ruse. Në fillim të këtij muaji, shefi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës, Oleksiy Danilov, shkroi në një shkrim të botuar në gazetën ukrainase Ukrainska Pravda se Rusia duhet të “de-kolonizohet”, shtetësia e saj në formën e saj aktuale të zhbëhet dhe të nxitën lëvizjet e popujve të ndryshëm brenda kufijve të saj për pavarësi.

Ushtria ukrainase ka mundur t’i çlirojë disa zona, por pjesa më e madhe e territorit të pushtuar në 12 muajt e fundit mbetet nën kontrollin rus. Mobilizimi po vazhdon në të gjithë vendin dhe ushtria ukrainase po merr trajnime dhe armë të reja nga Perëndimi.

Objektivat e deklaruara fillimisht të presidentit rus Vladimir Putin ishin “çlirimi” i rajonit të Donbasit të Ukrainës dhe “denazifikimi” dhe “demilitarizimi” i vendit.

Ushtria ruse nuk ka arritur t’i pushtojë plotësisht dy rajonet e Donbasit, Donetskun dhe Luhanskun, por ka kapur pjesë të mëdha të dy rajoneve të tjera të Ukrainës në jug, Zaporizhia dhe Kherson, duke siguruar kështu një urë tokësore për në Krime. Në tetor, Putin nënshkroi legjislacionin për aneksimin zyrtar të këtyre rajoneve në Rusi.

Në vjeshtë, autoritetet ruse kryen një fushatë mobilizimi mbarëkombëtare, duke shtuar rreth 300,000 trupa në forcat e rregullta të vendit. Disa prej tyre tashmë janë vendosur në vijën e frontit, si pjesë e ofensivës së re ruse, por shumica, duket se kanë mbetur në rezerva.

Me këtë përzierje të sukseseve dhe dështimeve ushtarake, Kremlini e ka lënë qëllimisht përkufizimin e tij të “fitores” në Ukrainë mjaft të paqartë. Kështu, ajo po i lejon vetes një gamë shumë më të gjerë të rezultateve të pranueshme në fushën e betejës.

Ndërkohë, Perëndimi, ndonëse i bashkuar në mbështetjen e tij morale për Ukrainën, ka qenë gjithashtu i paqartë se si duhet të përfundojë lufta. Retorika zyrtare nga Uashingtoni, mbështetësi më i madh i Kievit, është se Përendimi do ta mbështesë qeverinë dhe ushtrinë ukrainase “për aq kohë sa duhet” në mënyrë që të sigurojë një fitore vendimtare ndaj Rusisë. Në Evropë, disa kanë qenë më të kujdesshëm. Presidenti francez Emmanuel Macron, për shembull, ka thënë se Rusia duhet të mposhtet, por jo të shkatërrohet.

Ukraina ka marrë rreth 40 miliardë dollarë ndihmë ushtarake nga Perëndimi, rreth 30 miliardë dollarë prej saj vetëm nga Shtetet e Bashkuara. Muajin e kaluar, vendet anëtare të NATO-s sapo e kanë tejkaluar njërën nga “vijat e kuqe” të vetë-imponuara duke lejuar furnizimet me tanke moderne gjermane dhe amerikane në Ukrainë, megjithëse në numër të kufizuar.

Megjithatë jozyrtarisht, siç sugjeron një artikull i fundit i ëashington Post, qeveria ukrainase po sugjeron se këtë vit mund ta ketë shansin e fundit për t’i ndryshuar faktet në terren me mbështetjen e plotë perëndimore përpara bisedimeve të pashmangshme të paqes.

Një sondazh i kohëve të fundit i politikëbërësve të Bashkimit Evropian, i kryer nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, thotë se kryeqytetet evropiane ndryshojnë shumë në atë se çfarë përfundimi në luftën e Ukrainës e shohin si real. Vetëm një pjesë e vogël e të anketuarve duket se e perceptojnë “çlirimin e plotë” të Kievit si një rezultat të mundshëm. Shumë presin që Rusia ta mbajë kontrollin mbi disa territore të Ukrainës.

Skenarët e mundshëm

Ka shumë të panjohura për ta bërë ndonjë parashikim të sigurt se në ç’pozicion do të gjenden Ukraina dhe Rusia pas një viti lufte. Megjithatë, ka disa skenarë që duken më të mundshëm.

Një fitore dërrmuese e Ukrainës, siç ishte parashikuar në Kiev, do të ishte një triumf i drejtësisë. Por është gjithashtu një skenar i ruletës ruse, sepse disfata e Putinit, veçanërisht çlirimi i Krimesë, mund ta nxisë Putinin të përdorë armë bërthamore. Fati i njerëzimit, në këtë rast, do të jetë në duart e një njeriu të trazuar, i cili tashmë e ka bërë të pamendueshmen duke nisur një luftë në shkallë të gjerë në Evropë.

Fitorja ruse, nga ana tjetër, do të nënkuptojë një humbje vendimtare të Perëndimit dhe rendit botëror të përmbysur nga një autokraci agresive. Por Rusia nuk ka gjasa ta arrijë këtë duke pasur parasysh performancën e saj më pak se mbresëlënëse në fushëbetejë deri më tani.

Midis këtyre dy ekstremeve qëndron një varg i tërë skenarësh më realistë, bazuar në një ekuilibër të ri që do të shfaqet pas sezonit të këtij viti të ofensivave ruse dhe kundërofensivave të Ukrainës.

Rusia ka të ngjarë ta mbajë një pjesë të territorit ukrainas, por betejat e ardhshme do të vendosin se sa dhe sa përgjithmonë – ose, me fjalë të tjera, me çfarë kostoje njerëzore dhe ekonomike do të jetë në gjendje t’i mbajë ato.

Një faktor i rëndësishëm është një ndryshim i madh në pritjet sociale në Rusi dhe Ukrainë në lidhje me rezultatin e luftës. Shoqëria ruse është e vakët për aventurizmin ushtarak të Putinit dhe zgjerimin territorial. Kjo shoqeri do ta pranojë një gamë të gjerë rezultatesh që nuk janë dukshëm poshtëruese ose të kushtueshme.

Pritshmëritë e Ukrainës, nga ana tjetër, janë jashtëzakonisht të fryra. Pothuajse çdo lloj kompromisi mund ta kërcënojë qeverinë e Volodymyr Zelenskyyt, e cila pranoi një lojë vdekjeprurëse duke refuzuar t’i zbatojë marrëveshjet poshtëruese të Minskut dhe duke vendosur të luftojë në vend që t’i nënshtrohet ultimatumeve të Putinit.

Tani për tani, pothuajse çdo marrëveshje realisht e arritshme duket të jetë më e keqe për Ukrainën sesa kushtet e marrëveshjeve të hedhura të Minskut, gjë që me plot të drejtë nxit pyetjen: Për çfarë ishin të gjitha këto sakrifica të mëdha? Për këtë arsye, Zelenskyy ka një nxitje shumë të fortë për të vazhduar luftën.

Nëse nuk e bën këtë, ai përballet me kërcënimin e reagimit të brendshëm, deri në një grushtshteti të armatosur nga elementë ushtarakë radikalë dhe militantë të ekstremit të djathtë. Megjithatë, këto frika rrjedhin kryesisht nga retorika luftarake e kohës së luftës nga lobistët radikalë dhe sondazhet e opinionit të kryera në një kohë kur njerëzit, veçanërisht ata që janë më të prirur për kompromis, kanë një nxitje shumë të fortë për të mos qenë të sinqertë në lidhje me preferencat e tyre.

Nëse objktivi i tyre nuk është kapitullimi i plotë i Rusisë, çdo negociatë e qëndrueshme e paqes do ta përfshijë dhënien e territorit nga Ukraina. Në varësi të performancës së vendit në fushëbetejë, kjo mund të jetë vetëm Krimea; Krimea dhe pjesë të Donbasit që Rusia i kontrollonte efektivisht edhe përpara fillimit të agresionit të plotë vitin e kaluar; ose këto territore së bashku me ato që Rusia i futi nën kontroll në 12 muajt e fundit ose mund t’i pushtojë në të ardhmen. Vetëm sipas skenarit të parë Ukraina do të jetë në gjendje të pretendojë se ka arritur fitoren, si në përmirësimin e pozicioneve të saj në krahasim me ato të parashikuara në marrëveshjet e Minskut.

Ajo që e pret këtë vit duket shumë e errët. Edhe duke e lënë mënjanë kërcënimin e vërtetë bërthamor, është e vështirë të shmanget ndjenja bezdisëse se dhjetëra mijëra njerëz do të vdesin për ta provuar se ky është një ngërç që zgjidhet më së miri në tavolinën e bisedimeve./Al Jazeera 

Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë të vetë autorit dhe nuk e pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin editorial të Al Jazeera.

Përgatiti: Nuhi Shala