A do të mbetet Vjosa Osmani kryetare e Kuvendit nëse rrëzohet Qeveria?

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nëse rrëzohet Qeveria aktuale, qeveria teknike nuk mund ta përfshijë postin e kryeparlamentarit.

“Një qeveri e re teknike nuk mund ta përfshijë në vetvete postin e kryetarit të Kuvendit. Pra nuk mund të jetë pjesë e pazareve të koalicionit për shkak se nëse partia e parë do të ishte pjesë e një qeverie të tillë, sipas Kushtetutës, i takon asaj”, tha Osmani para mediave.

Ajo shtoi se Kosova për momentin nuk ka nevojë për një qeveri teknike por duhet të merret me luftimin e pandemisë Covid-19.

Ajo tha se do të votojë kundër mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë.

Seanca për rrëzimin e Qeverisë Kurti do të mbahet nesër dhe këtë e ka kërkuar partneri i koalicionit, LDK, pa kaluar as 2 muaj nga arritja e koalicionit.

Shkak për këtë mocion, sipas LDK-së, është bërë vendimi i kryeministrit Albin Kurti për të shkarkuar Agim Veliun nga posti i ministrit të Brendshëm dhe mosheqja e menjëhershme tarifës 100% ndaj mallrave serbe e boshnjake.

Qeveria të premten ka vendosur ta heqë tarifën 100% për lëndën e parë të mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Kosova është duke u përballur me virusin COVID-19, nga i cili deri më tani janë infektuar 61 persona, ndërsa një ka vdekur.