8 euro për një dezinfektues 500 ml, Institucioni thotë se ka qenë gabim teknik

Qendra e Shëndetit Mendor në Pejë ka nënshkruar një kontratë për furnizim disa produkte për mbrojtje nga COVID-19, duke përfshirë edhe dezinfektues 500ml që i kishte kushtuar 8 euro. KALLXO.com, me datën 15 prill, kishte raportuar se kësaj qendre një dezinfektues 500ml i kishte kushtuar 8 euro, ndërsa e njëjta sasi e dezinfektuesit, Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Prishtina’ i kishte kushtuar 4 euro.

Në bazë të kontratës së publikuar në Prokurimin Elektronik, kjo Qendër ka blerë 400 copa dezinfektues 500ml për 3 mijë e 200 euro.

Por, Qendra e Shëndetit Mendor në Pejë dhe kompania e kontraktuar thonë se kontrata e publikuar dhe e nënshkruar ka një gabim teknik.

Sipas kësaj Qendre ata janë furnizuar me dezinfektues 1L me çmim 8 euro dhe jo 500ml siç ka qenë në kontratë.

“Institucioni jonë është furnizuar me datën 14.04.2020 me këto masa mbrojtëse ku është bërë gabim teknik në specifikim, e gjendja faktike nuk është përputhjen me kontratën ku është publikuar. Operatori Ekonomik me datën 14.04.2020 na ka furnizuar me dezinfektues me çmim prej 8 euro për 1 liter, e jo siç është bërë gabimi teknik në publikim”, thuhet në reagimin e kësaj Qendre.

KALLXO.com ka kontaktuar me Ismail Shabanin, pronarin e kompanisë “KIGA”, i cili ka thënë se marrëveshjen fillestare për shitjen e këtyre produkteve e kishte bërë përmes telefonit. Ai thotë se gabimi ishte bërë në kontratë, ndërsa furnizimi ishte bërë me dezinfektues 1 litër.

Po ashtu, Qendra e Shëndetit Mendor ka porositur edhe maska me filtër, ku vetëm një i ka kushtuar 10 euro, ndërsa ka porositur 50 të tilla, me çmim të përgjithshëm prej 500 eurove.

Në këtë kontratë gjithashtu është porostiru alkool 96% 1L, ku një i tillë ka kushtuar 8 euro. Ndërsa Qendra e Shëndetit Mendor ka porositur 50 të tilla me çmim total prej 400 eurove.

Një maskë kirugjike elastike, Qendrës së Shëndetit Mendor i ka kushtuar 91 cent, ndërsa janë porositur 3 mijë të tilla.

Kurse një mantil dhe kapele njëpërdorimëshe, sipas kontratës, ka kushtuar 3 euro e 50 cent dhe janë porositur 400 të tilla.

Ndërsa një pako doreza medicionale, sipas kontratës së publikuar, ka kushtuar 5 euro dhe Qendra e Shëndetit Mendor ka porositur 50 pako të tilla.

Tenderët në kohë pandemie, 8 euro për një dezinfektues 500ml