72 për qind e nxënësve në Prishtinë kanë probleme me sëmundje të dhëmbëve

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet rreth vizitave shëndetësore në shkolla.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka thënë se nga vizitat sistematike shëndetësore kanë vërejtur që mbipesha te fëmijët, nxënësit, po rritet.

“Në bazë të të dhënave që kemi, mbipesha është një dukuri mjaft shqetësuese te nxënësit. Kjo tregon që i përcjellim si gjeneratë e jo si individë. Skloioza është duke u rritur te fëmijët, pra shtrembërimi i boshtit kurrizor, pastaj janë edhe problemet me sëmundjen e dhëmbëve, fatbardhësisht sipas të dhënave kjo ka filluar të bjerë” – thotë Sadiku.

Drejtori Sadiku ka shtuar se 72% e nxënësve që janë vizituar kanë karies të dhëmbëve.

“Po, kanë infeksion në dhëmbë 72% e nxënësve” – shtoi ai.

Ndërsa për drejtorin e Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, me profesion stomatolog, Fahri Shabani, kjo statistikë është e pritshme.

“Për fat të keq gjendja e shëndetit oral në Kosovë sipas të gjitha hulumtimeve e raporteve sidomos te moshat e reja, nuk është e mirë. Janë një sërë faktorësh që ndikojnë në këtë gjendje, faktorët e përgjithshëm, lokal, këtu hyjnë si pikë e parë, higjiena orale, kujdesi jo i duhur, vizitat jo të rregullta te stomatologu, ushqimi etj.” – ka thënë Shabani.

Ai ka shtuar se sipas rregullave çdo 6 muaj secili person duhet të bëjë një vizitë te stomatologu.

“Edhe fëmijët mirë kish qenë që këtë vizitë me bo te specialisti i stomatologjisë së fëmijëve, vizita të cilat janë pa pagesë për fëmijët në qendrat kryesore të mjekësisë familjare” – tha më tej Shabani.

Në komunën e Mitrovicës janë të punësuar gjithsej 20 stomatologë, prej tyre 4 janë specialistë të stomatologjisë së fëmijëve.