70% e shkollave të Ferizajt s’kanë mbajtur mësim sot
Shumica e shkollave të Ferizajt sot nuk kanë mbajtur mësim, kështu duke i’u përgjigjur pozitivisht thirrjes së SBAShK, që dita e hënë të jetë ditë pushimi.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i Arsimit në këtë komunë, Afrim Llabjani.
“Nuk është mbajtur mësimi në të gjitha shkollat, shumica e shkollave s’kanë mbajtur mësim. Diku 70% të shkollave s’kanë mbajtur mësim, 10 shkolla kanë mbajtur mësim komplet, 1 shkollë pjesërisht, por më shumë prej shkollave s’kanë mbajtur”, tha më tej ai.
KALLXO.com më herët raportoi se në komunën e Pejës dhe Gjilanit shumica e shkollave s’kanë mbajtur mësim, kurse në Fushë Kosovë po.
Në anën tjetër, Ministria e Arsimit u ka bërë thirrje shkollave që të mbajnë mësim.
Kurse, kryetari i SBAShK, Rrahman Jasharaj ka deklaruar se 90 për qind e shkollave të Kosovës i janë bindur thirrjeve të tyre që dita e hënë të jetë ditë pushimi, për nder të festës së 28-nëntorit.
Qeveria e Kosovës, më 27 nëntor kishte bërë të ditur se dita e hënë, 30 nëntor 2020, do të jetë ditë e rregullt e punës.
Për këtë vendim, kryeministri, Avdullah Hoti u kritikua sot nga deputetët e opozitës.
Por, ai tha se se deputetët e kanë ftuar në raportim me datën 30 dhjetor dhe se ka zbatuar agjendën zyrtare të trashëguar.