Qyteti i Beratit. Foto arkivë: Ivana Dervishi/BIRN

4 italianë u larguan pa paguar nga një restaurant në Shqipëri, Qeveria italiane ua paguan borxhin

Përmes një forme të veçantë diplomacie, qeveria italiane ka shlyer faturën e një restoranti në Shqipëri, në të cilin katër turistë italianë janë larguar pa paguar, raporton BBC.

Dalja pa paguar nga restaoranti në qytetin e Beratit bëri bujë në të dy vendet.

Muhabeti bëri që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ta përmendte atë me homologen e tij italiane, Giorgia Meloni, teksa ajo ishte për vizitë në vend.

Ajo u përgjigj duke i thënë ambasadorit të saj “shkoni dhe paguani faturën për këta idiotë”, tha ai për gazetën La Stampa.

Ambasada e Italisë në Shqipëri konfirmoi në një deklaratë se kishte paguar faturën në vlerë 80 euro, në emër të qytetarëve të saj.

“Italianët respektojnë rregullat dhe paguajnë borxhet e tyre dhe ne shpresojmë që episode të këtij lloji të mos ndodhin më”, thuhet në deklaratë.

Ministri i Bujqësisë i Italisë dhe kunati i zonjës Meloni, Francesco Lollobrigida, ishte gjithashtu në udhëtim në Shqipëri dhe i tha agjencisë së lajmeve Reuters se pagimi i faturës ishte një çështje krenarie.

“Disa individë të pandershëm nuk mund të vënë në siklet një komb me njerëz të mirë”. tha ai.

Është e paqartë se kur ka ndodhur ngjarja, por videoja e kamerave të sigurisë ku shihet grupi duke dalë nga restoranti dhe duke u endur gjatë natës është bërë virale në mediat sociale.

Pronari i restorantit tha për Report TV të Shqipërisë se ishte hera e parë që klientët largoheshin nga objekti i tij pa paguar dhe tha se katër italianët madje kishin komplimentuar ushqimin.