228 policë u suspenduan nga puna gjatë viteve 2019-2021

32 zyrtarë policorë janë arrestuar në periudhën 2019- 2021 nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit ndërsa sipas statistikave që ka siguruar KALLXO.com nga Policia e Kosovës, nëntë zyrtarë policorë janë larguar nga puna nën dyshimin se kanë qenë të përfshirë në korrupsion.

Në total në tri vitet e fundit, sipas Policisë së Kosovës janë larguar nga puna 82 zyrtarë policorë për vepra të ndryshme penale e 288 janë suspenduar.

Javën që lamë pas, 48 zyrtarë policorë u arrestuan nën dyshimin se të njëjtit gjatë një periudhë disa mujore kanë pranuar ryshfet në shuma të ndryshme gjatë kryerjes së detyrës së tyre në pikat kufitare Qafë Prushë dhe Qafë Morinë.

Një hetim disa mujor i Inspektoratit Policor të Kosovës nën koordinim me Prokurorinë Speciale rezultoi me 50 të arrestuar të hënën e javës së kaluar.

48 zyrtarë policor kufitarë dhe dy doganierë u prangosën nën dyshimet për korrupsion.

Sa para u dhanë ryshfet për policët kufitar për lejimin e kontrabandës e veprimtarive të tjera ilegale

Sipas Policisë së Kosovës gjatë vitit 2019 për marrje ryshfeti janë arrestuar 30 zyrtarë policorë. Në vitin 2020, është arrestuar një polic, ndërsa në vitin 2021 është arrestuar një polic tjetër për të njëjtën vepër penale.

Ndërsa vetëm për dyshimet për veprën penale të marrjes së ryshfetit, gjatë këtyre viteve janë larguar nga puna gjithsej nëntë zyrtarë policorë.

Përfshirja e zyrtarëve policor në veprimtari ilegale: 

Javën e kaluar një numër i madh i zyrtarëve policorë kufitar në zonën e Gjakovës e Prizrenit janë arrestuar nën dyshimin se të njëjtit kanë marrë ryshfet gjatë kohës sa ishin duke shwrbyer në pikat kufitare Qafë Morinë e Qafë Prush.

Të njëjtit po dyshohet se kanë marrë shuma të ndryshme të parave që nisin nga 1 mijë lekë deri në 400 euro për një rast të vetëm.

Madje disa zyrtarë policorë po dyshohet se përveç veprave penale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare kanë kryer edhe veprën tjetër atë të krimit të organizuar.

Ky nuk është rasti i parë kur një numër i madh i zyrtarëve policorë arrestohen për vepra penale konkretisht pwr korrupsion.

Në vitin 2019 KALLXO.com kishte publikuar hulumtimin me pamjet ekskluzive të lidhjes së policisë me kontrabandën në veri të Kosovës.

Një hulumtim gjashtë mujor i ekipit të Drejtësia në Kosovë në atë kohë kishte zbardhur rrjetin e dyshuar kriminal që funksiononte në zonën e veriut të Kosovës për të mundësuar kontrabandën dhe veprimtaritë ilegale në atë zonë.

Të përfshirë në rrjet dyshohej se ishin edhe zyrtarë policorë të Policisë së Kosovës. 19 zyrtarë policorë ishin arrestuar në atë kohë nën dyshimet se të njëjtit kishin kryer disa vepra penale.

Përveç zyrtarëve policorë të arrestuar pati edhe qytetarë. Aksioni i vitit 2019 në zonën e veri të Mitrovicës nuk kaloi qetë. Pati tensione bllokada, arrestime madje edhe plagosje. Një zyrtar policor ishte plagosur në po të njëjtin aksion.

Cak i këtij operacioni kishin qenë të dyshuarit për përfshirje në vepra penale si pjesëmarrje në grup kriminal, kontrabandë me mallra, keqpërdorim i detyrës zyrtare e edhe marrje e dhënie ryshfeti.

Ekipi i Drejtësia në Kosovë në atë kohë kishte arritur që të filmonte zonat ku ishin hapur rrugët ilegale dhe përmes atyre rrugëve mundësohej kontrabanda me mallra me kamionë të shumtë.

Në janar të vitit 2019 Drejtësia në Kosovë transmetoj filmimet ku në dy pika të karburanteve dhe në një dyqan mallrash në Leposaviç rrjeti i policëve pranonin deri në 200 euro për të mundësuar rrugë të lirë për kamionët e kontrabandës.

Në link shih dorëzimin e parave.

Arrestime, plagosje e barrikada nga aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës

 

Hulumtimi sjell pamje filmike të momenteve kur para dorëzohen në vende të caktuara për llogari të policëve të Kosovës.

VIDEO: Si i marrin shitësit e dyqaneve paratë për policinë?

 

Një rast tjetër të përfshirjes së zyrtarëve policorë në vepra penale ishte edhe rasti i njohur si “Karaçeva”. 

Më shumë se dhjetë zyrtarë policorë ishin arrestuar në shtator të vitit 2020 nën dyshimin se të njëjtit ishin përfshirë në veprimtari kriminale. 

Edhe në këtë rast, KALLXO.com për disa muaj kishte arritur që të hulumtonte se si pas Ligjit për ndalimin e lojërave të fatit, në zonën e Karaçevës, fshat ky në Kamenicë, pak kilometra nga kufiri mes Kosovës dhe Serbisë, ishin vendosur më shumë se dhjetë objekte të cilat shfrytëzoheshin për lojëra fati. 

Të gjitha materialet që kishte arritur të siguronte KALLXO.com në atë kohë nga zhvillimi i kësaj veprimtarie ilegale i kishte dërguar në Prokurorinë Themelore në Gjilan, tek prokurorja Rozelida Manastiri. 

Inspektorati Policor në atë kohë kishte hetuar rastin pasi kishin pranuar informacione se të përfshirë në këtë rast janë edhe zyrtarë policorë. 

12 zyrtarë policorë ishin arrestuar nën dyshimet se ishin përfshirë në kontrabandë dhe kishin lejuar veprimtarinë e zhvillimit të lojërave të fatit në zonën e Karaçevës. 

Dosja: Si i mbështeti policia kazinot e Karaçevës?

Një aferë korruptive ku të dyshuar dhe të arrestuar ishin zyrtarët policorë në numër të lartë, ishte edhe ai i vitit 2016. 

Mbi 30 zyrtarë policorë të Njësisë së Trafikut, që në atë kohë dyshoheshin se kishin marrë ryshfet. 

Filmimet që kishin siguruar në atë kohë IPK, tregonin se zyrtarët policorë të trafikut merrnin shuma të ndryshme të parave. 

Të gjitha këto filmime IPK i kishte siguruar pasi kishte vendosur brenda makinave të policisë së Njësisë së Trafikut kamera të vëzhgimit. 

Afera e Korrupsionit në Polici: Paratë Fshiheshin në Çorapë