Policia në veri - 28.05.2019. Foto: Kallxo.com

Arrestime, plagosje e barrikada nga aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës

Me disa të arrestuar, duke përfshirë edhe zyrtar policor, barrikada, përleshje konfiskim të armëve, dhe polic të plagosur ka përfunduar aksioni i gjerë i Policisë së Kosovës i cili ka filluar sot në orët e hershme të mëngjesit.

Në bazë të raportimeve të deri tanishme nga ekipet e KALLXO.com të cilët kanë raportuar në vazhdimësi për aksionin e policisë,  nga ky aksion është plagosur një zyrtar policor, dhe tre të tjerë janë lënduar, ndërsa janë arrestuar gjithsej 19 zyrtar policor dhe 10 qytetar të dyshuar si pjesë e rrjeteve të kontrabandës.

Policia në orët e para të mëngjesit ka njoftuar se cak i këtij operacioni janë disa zyrtar policor dhe disa qytetar të cilët dyshohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminale, kontrabandë me mallra, keqpërdorim të pozitës zyrtare, dhënie ryshfeti dhe tregti e ndaluar.

Me fillimin e aksionit të policisë në veri të Mitrovicës, serbët kanë ndezur alarmin pasi në atë pjesë janë vërejtur njësitë e Policisë së Kosovës duke zhvilluar aksionin e tyre.

KALLXO.com  ka raportuar në fillim të ditës së aksioni i policisë ka filluar me arrestimin e pesë personave të dyshuar në Veri të Mitrovicës. Njëri nga të dyshuarit ishte edhe Komandanti i Policisë në Zubin Potok.

Pas vetëm një ore, numri i të arrestuarve nga aksioni i njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës arriti në 10 persona.

Policia njoftoi se gjatë aksionit të policisë, zyrtar policor kanë hasur në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, por përkundër kësaj aksioni vazhdoi duke përfshirë arrestimin dhe kontrollimin e disa lokacioneve të cilat kanë rezultuar me konfiskimin e dëshmive relevante, përfshirë këtu edhe armë të gjata.

KALLXO.com raportoj se si pasojë e hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, mbeti i plagosur një zyrtar policor, i cili është jashtë rrezikut për jetë.

Me një qëndrim rreth aksionit të policisë në veri të vendit, pak orë pas fillimit të aksionit doli kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, i cili përmes një postimi në facebok bëri thirrje që serbët e veriut të ruajnë qetësinë.

“Si Kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër. Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin!”, kishte shkruar Haradinaj në Facebook.

Në ndërkohë, Policia e Kosovës doli me një reagim se aksioni i sotëm në veri të Kosovës ka të bëjë me kontrabandën, duke i demantuar raportimet e mediave në Serbi.

“Përmes kësaj shkrese zyrtare dëshirojmë të njoftojmë opinionin e gjerë dhe mediat se operacioni policor i cili po realizohet sot në rajonin e Mitrovicës Veri dhe Mitrovicës Jugu, nuk ka të bëjë me rastin e vrasjes së Heroit Enver Zymeri dhe ish politikanit  z. Oliver Ivanoviç, siç potencohet në disa media serbe dhe lokale”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Pas arrestimit të 10 personave, aksioni vazhdoj tutje, por zyrtarët policor hasën në disa barrikada  të cilat ishin vendosur nga serbët lokal  në veri të vendit.

Serbët lokal në rrugën në Zubin Potok, duke tentuar të parandalojnë aksionin e policisë në arrestimin e personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari ilegale dogjën goma, vendosën  kamion dhe drunjë duke bllokuar rrugën për qarkullim.

Pas vendosjes së barrikadave nga serbët, intervenuan Njësia Speciale e Policisë të cilët u nisën në Zubin Potok me mjete të blinduara për të larguar barrikadën.

Në vendin ku u vendos barrikada, kishte edhe përleshje ndërmjet barkikaduesve dhe zyrtarëve policor, ku kishte edhe të shtëna me armë zjarri.


Pas përleshjes, KALLXO.com publikoi video se si Policia e Kosovës me autoblinda largoj barrikadat e vendosur nga rrugë, duke vazhduar aksioni ne saj në Leopsaviq.

Për aksionin e Policisë së Kosovës , Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mblodhi Këshillin Nacional të Sigurisë. RTS  raporti se Vuçiq u ka thënë përfaqësuesve të BE-së se “Serbia do të reagojë nëse njësitet speciale të Policisë së Kosovës nuk tërhiqen nga veriu”.

Sjelljen e Serbisë karshi operacionit të cilin Policia e Kosovës  e zhvilloi në veri, e dënoi Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, , pasi sipas tij  ky është një aksion i thjeshtë i cili ka për qëllim luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

“Unë i dënoj thirrjet e qeverisë serbe që madje e kanë thirrur ushtrinë të jetë e gatshme për shkak të një operacioni të thjeshtë policor kundër rrjeteve të krimit të organizuar”, ka shkruar Pacolli në facebook.

Përveç Këshillit Nacional të Sigurisë në Serbi, pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri të vendit, edhe Presidenti Hashim Thaçi mblodhi strukturën e sigurisë në zyrën e tij.

KALLXO.com mori vesh se në takim me Presidentin morën pjesë shefi i inteligjencës, Shpend Maxhuni, drejtori i Policisë, Rashit Qalaj dhe disa prokurorë.

Për aksionin e policisë, presidenti i vendit Hashim Thaci përmes një postimi në facebook ka thënë se të gjithë ata që do të merren me krim të organizuar do të përfundojnë në burg, ndërsa ka shtuar se aksioni i sotëm është në të mirë të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pas deklaratave të Vuçiq, për herë të dytë reagoi Haradinaj i cili kërkoj nga  Qeveria e Serbisë të mos synojë t’i minojë përpjekjet e Kosovës për luftimin e krimit të organizuar.

Të vonuar aksioni e policisë në veri të vendit e quajti shefi i grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, megjithatë, PSD tha se e mbështesin dhe e konsiderojnë të qëlluar këtë aksion të Policisë.

Për këtë aksion të policisë, sot reagoj edhe KFOR, të cilët kërkuan që mosmarrëveshjet të zgjidhen në mënyrë paqësore, dhe që njerëzit të qëndrojnë të qetë për shkak se nuk ka asgjë për t’u frikësuar.

“Për shkak të ndjeshmërisë politike të momentit, komandanti KFOR-it fton të gjitha palët që të merren me mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi, pa asnjë forcë ose dhunë. Njerëzit duhet të qëndrojnë të qetë, nuk kanë asgjë për t’u frikësuar”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

I pari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se ky aksion është veprim ligjor e legjitim i organeve të drejtësisë së Kosovës në tërë territorin e Republikës.

Ndërsa, presidenti i Serbisë,  Aleksandër Vuçiq ka reaguar përderisa për aksionin e sotëm në veri të Kosovës, i cili  ka thënë se qëllimi i veprimeve të Policisë së Kosovës është të trembë serbët.

Vuçiq në Parlamentin serb, konfirmoi se ushtria serbe dhe të gjitha njësitë e policisë u urdhëruan për gatishmëri të plotë luftarake.

“Ne jemi të vetëdijshëm për pasoja të rënda dhe të tmerrshme dhe për këtë ne do të vazhdojmë të punojmë në mbajtjen e pjesës, por kur e shihni se bëhet e pamundur dhe se dikush dëshiron të dëbojë popullin tënd – unë thashë se nuk do të lejojmë një stuhi të re (operacion)”, ka thënë presidenti serb.

Në grupin e personave të arrestuar se bashku me zyrtarët policor, presidenti  vendit në një konferencë për media bëri të ditur se është arrestuar edhe një rus, është kamufluar në petkun e diplomatit për të penguar aksionin e Policisë së Kosovës.

Pas rreth gjashtë orëve aksion për arrestimin e personave të dyshuar për dyshimet për përfshirje në vepra penale, rreth orës 12:00, Njësitë Speciale të Policisë së Kosovën kanë filluar të tërhiqen nga Mitrovica e Veriut.

Policia e Kosovës pritet të mbajë konferencë pas përfundimit të këtij aksioni, për të dhënë detaje dhe të dhëna të tjera.