Karaçevë - 18.09.2020 FOTO KALLLXO.com

Dosja: Si i mbështeti policia kazinot e Karaçevës?

Të lidhur ngushtë me më shumë se 15 qytetarë, 12 zyrtarë policorë po dyshohen se kanë ndihmuar ata në kontrabandë me kafshë.

Dosja e Prokurorisë në Gjilan shpjegon rolin e 12 zyrtarëve policorë, të cilët u arrestuan në aksionin e së premtes në fshatin Karaçevë, pak kilometra larg pikës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Njëri nga 12 zyrtarët policorë të arrestuar mbrëmjen e së premtes në fshatin Karaçevë po dyshohet për dy vepra penale, kontrabandim me mallra si dhe për organizim te skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm ndërsa zyrtarët e tjerë policorë po dyshohen për veprën penale kontrabandim.

Zyrtarët policorë, H.K., S.K., I.M., F.K., A.K., F. Z., R.Th., S.G., S. N., S.M. dhe Z.A. sipas kërkesës për paraburgim të Prokurorisë po dyshohen për ndihmë në kontrabandë.

Të njëjtit zyrtarë policorë po dyshohen se në mënyrë të vazhdueshme, kanë ndihmuar e fshehur si dhe nuk kanë penguar kontrabandimin nga ana e të pandehurve të tjerë (qytetarë të arrestuar të premten) të cilët duke kaluar vijën kufitare, kanë shmangur kontrollin doganor përmes rrugëve ilegale dhe kanë bërë kontrabandim të mallrave të ndryshme.

14 nga qytetarët që u arrestuan në aksionin e së premtes në Karaçevë po dyshohen për kontrabandim me mallra ndërsa Y.F., Rr. G., N.Ç. Dhe L.G. po dyshohen për organizim të lojërave të fatit apo bixhoz të kundërligjshëm.