Policia jep detaje për arrestimin e zyrtarëve policorë

Policia e Kosovës ka njoftuar se operacioni policor i cili po shtrihet në disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veri, Mitrovicë të Jugut, Skenderaj dhe Drenas, deri më tani ka rezultuar me arrestimin e disa qytetarëve dhe disa zyrtarëve policorë të nacionaliteteve të ndryshme si shqiptarë, serbë dhe boshnjakë, të cilët kanë qenë të dyshuar.

Policia ka njoftuar se Inspektorati Policor i Kosovës, përveç hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, ka hasur edhe në disa bllokada të rrugëve, të cilat kanë penguar qarkullimin e mjeteve zyrtare, me ç ‘rast është detyruar të përdoren mjetet e nevojshme për lirimin e rrugëve me qëllim të vazhdimit të operacionit policor.

“Si pasojë e pengesave të krijuara dhe pengimit të veprimeve policore në terren  nga ana e disa qytetarëve në Veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion policor edhe disa qytetarë të involvuar në këto raste”, njofton policia.

Policia e Kosovës ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve të ndryshme, pasi ky operacion policor ka për qëllim luftën kundër krimit dhe është në interes të të gjithë qytetarëve dhe vendit.

Policia njofton se operacioni policor është ende në vazhdim e sipër.

KALLXO.com raportoi më herët se disa prej dhjetëra të arrestuarve në Veri janë sjellur në Prishtinë.

Policë në uniformë nga veriu i Kosovës janë sjellur të arrestuar në Inspektoratin Policor të Kosovës.

KALLXO.com, po qëndron para këtij institucioni ku po sillen të arrestuarit.

Operacioni policor i nisur sot në orët e hershme të mëngjesit në pjesën veriore të Kosovës është shpërndarë edhe në jug të Mitrovicës.

KALLXO.com mëson se cak i këtij aksioni janë rrjetet e kontrabandës së mallrave nga Serbia për në Kosovë, ku janë realizuar disa bastisje në disa lokacione.

Një pjesëtar i Policisë është plagosur me armë zjarri gjatë aksionit të sotëm në veri të vendit kundër kontrabandës.