Stacioni i Policisë Kufitare në Gjakovë, Foto: KALLXO.com

Sa para u dhanë ryshfet për policët kufitar për lejimin e kontrabandës e veprimtarive të tjera ilegale

Nga 1 mijë lekë e deri në 400 euro u dhanë në raste individuale dhe shuma të ndryshme për zyrtarët policorë kufitar të cilët u arrestuan sot nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës.

48 zyrtarë policorë kufitar dhe dy doganierë u prangosën nën dyshimin se morën para për të lejuar veprimtaritë ilegale në pikat kufitare Qafë e Prushit dhe Qafë Morinë.

Qindra incizime që dëshmojnë aferën e korrupsionit për zyrtarët policorë ka siguruar IPK gjatë 10 muajve hetime intensive duke përdorur edhe teknika të hetimit të fshehtë.

Pamjet që ka siguruar IPK-ja shfaqin zyrtarët policorë derisa marrin para nga ana e qytetarëve.

Shuma e parave arrijnë vlerën e qindra eurove të cilët dyshohet se zyrtarët policor i kanë përfituar kundërligjshëm duke lejuar kontrabandën me mallra të ndryshme, si dhe kalimin në mënyrë të pa autorizuar dhe pa dokumentacion përkatës të automjeteve dhe qytetarëve.

Më shumë se 40 policë kufitar të arrestuar nga aksioni i sotëm i Inspektoratit Policor të Kosovës në Gjakovë janë dërguar në objektin e IPK-së për intervistim.

KALLXO.com ka raportuar nga vendi i ngjarjes lidhur me rastin.

Pamje – Policët e arrestuar në Gjakovë arrijnë në IPK