116 zyrtarë të Fushë Kosovës shkuan në Durrës në tetor, ndonëse ftesa e Bashkisë së Durrësit ishte për festat e Nëntorit

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se mbi 100 zyrtarë të Komunës së Fushë Kosovës kishin shkuar në Durrës 20 deri më 22 tetor 2023, ndonëse kishin pasur ftesë nga Bashkia e Durrësit që të marrin pjesë atje me qëllim të realizimit të vizitës kushtuar aktiviteteve për shënimin e festave të Pavarësisë dhe Çlirimit të Shqipërisë për në muajin nëntor.

Për këtë, Komuna e Fushë Kosovës kishte paguar 14,500 euro për vizitën e 116 zyrtarëve të administratës komunale në Durrës sipas ftesës, për nder të festave të nëntorit. Ftesën e kishin pranuar nga Bashkia e Durrësit më datë 16.10.2023 në të cilën ishin ftuar administrata komunale e Komunës së Fushë Kosovës.

Auditori ka konstatuar se nuk kanë pranuar dëshmi se ditët e qëndrimit në Durrës korrespondojnë me qëllimin për të cilin ishin ftuar stafi i administratës komunale.

“Përkundër që ftesa ishte bërë me qëllim të realizimit të vizitës kushtuar aktiviteteve për shënimin e festave të Pavarësisë dhe Çlirimit në Republikën e Shqipërisë dhe atë në muajin Nëntor, vizitën e njëjtë, komuna e kishte realizuar në datat 20.10.2023 deri 22.10.2023. Ne nuk kemi pranuar dëshmi se ditët e qëndrimit në Durrës korrespondojnë me qëllimin për të cilin ishin ftuar stafi i administratës komunale” – thuhet në raportin e Auditorit të vitit 2023, i cili është publikuar në muajin qershor 2024.

Kjo, sipas raportit të Auditorit ndikon që shpenzimi i parasë publike jo në konsistencë me procedurat, ftesat e pranuara rritë rrezikun që mjetet e shpenzuara të mos shërbejnë për qëllime të miratuara publike.

Si rrjedhojë, ZKA ka rekomanduar kryetarin që të sigurohet që shpenzimi i buxhetit të destinuar për vizita jashtë vendit të shfrytëzohet drejtë dhe për qëllimet specifike për çka edhe iniciohen procedurat.

Me këtë gjetje ishte pajtuar edhe Komuna e Fushë Kosovës.

Komuna e Fushë Kosovës ka marrë opinion të kualifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Auditorët mund të japin tre lloje opinionesh të modifikuara: opinion të kualifikuar, opinion të kundërt dhe mohim të opinionit. Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për Komunën e Fushë Kosovës në raportin vjetor për pasqyrat financiare për vitin 2023. Auditori jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet.

Në raportin e vitit 2022, Komuna e Fushë Kosovës kishte marrë 14 rekomandime. Deri në fund të auditimit të ZKA-së për vitin 2023, një rekomandim ishte zbatuar, ndërsa 13 rekomandime nuk ishin zbatuar.

Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2023 me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet për Komunën e Fushë Kosovës mund ta lexoni në këtë LINK.