11 pacientë në gjendje të rëndë, shërohen 4 infermierë nga coronavirusi

561 persona janë regjistruar si të infektuar me coronavirus në Kosovë. Prej këtij numri 102 janë shëruar e fatkeqsisht janë shënuar edhe 12 viktima.

Në Klinikën Infektive sipas doktoreshës, Arjeta Zogaj- Berisha, janë hospitalizuar 53 persona ndërsa për 7 janë ende në pritje të rezultateve.

“Prej këtyre 53 rasteve, 11 janë në gjendje më të rëndë, pra me okisgjeno-terapi dhe dy tjerë janë në intenzivë, pra siç edhe e dini është një grua shtatzënë dhe një person tjetër nga Prizreni”, tha Zogaj- Berisha.

Ajo shtoi se gjendja e gruas shtatzënë është stabile.

“Gruaja shtatzënë është në gjendje stabile, shpresoj që të kaloj më mirë, por vështirë është të definohet për gjendjen e saj deri sa është e intobuar. Edhe gjendja e bebes është në gjendje të mirë”, shtoi doktoresha.

Tutje tregoi se nga pesë infermierët e Klinikës Infektive, katër nga ta janë shëruar plotësisht ndërsa për infermieren e pestë janë duke i pritur rezultatet e testit.

“Nuk kemi marrë ende saktë se sa të shëruar janë, sepse kemi pacientë që duhet të ritestohen”, tha ajo.

“Pra kemi pasur gjithsej pesë infermierë të prekur me coronavirus, katër janë shëruar, për infermieren e pestë jemi në pritje të rezultateve dhe nëse dalin negative atëherë i bie që të pesë të prekurit janë shëruar”, tha doktoresha në një konferencë për media.