104 vjet nga vrasja e Isa Boletinit

104 vjet me parë, me 23 janar të vitit 1916, në Podgoricë të Malit të Zi është vrarë në pritë nga xhandarmëria malazeze heroi Isa Boletini, pak orë para se ushtria perandorake Austro -Hungareze të pushtonte Podgoricën.

Isa Boletini, është figurë e shquar e Lëvizjes Kombëtar Shqiptare. Ai mbetet ndër personalitetet me të rëndësishme në historinë shqiptare.

Historiani Shkodran Imeraj ka shkruar në Facebook se si udhëheqës i luftëtarëve nga Kosova me 1912, Isa Boletini do të mbetet gjenerali i pavarësisë së tokave shqiptare, pavarësi kjo e shpallur në Kuvendin Kombëtar të Vlorës me 28 nëntor të vitit 1912.

“Me emrin e Isa Boletinit do të lidhen ngushtë të gjitha ngjarjet historike tek shqiptarët, qysh nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri në vitin 1916, kur ai bashke me dy djem, dy nipa dhe tre bashkëluftëtarë të tij do të bien heroikisht tek Ura e Ribnicës në Podgoricë në një përleshje me forcat malazeze”, ka shkruar Imeraj.

Së bashku me Isa Boletinin, më 23 janar 1916 vriten edhe dy të bijtë e tij, Halili dhe Seidi, dy nipërit, Jonuzi dhe Halili, Hajdar Selim Radisheva, Idriz Bislimi dhe Misin Bala nga Isniqi.

Isa Boletini lindi Boletin të Mitrovicës. Si i ri mori pjesë në betejat që ushtria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit bënte kundër forcave osmane.

Mbështeti Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë e qarqeve pushtuese fqinje.

Ishte ndër udhëheqësit më kryesorë të kryengritjes së pranverës 1910, e më pas njeriu kryesor për mbrojtje e qeverisë së Vlorës pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Eshtrat e Boletinin dhe janë rivarrosur më 2015 në vendlindjen e tij në Boletin të Mitrovicës.