Kush i dërgoi kosovarët në Siri?

Në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” kësaj radhe u transmetuan ekskluzivisht detaje e dëshmi për 4 burrat, 32 gratë dhe 74 fëmijët të cilët pikërisht një javë më parë janë kthyer nga zonat e konfliktit në Siri.

Koordinatori Nacional kundër Terrorizmit dhe Ekstremizmit, Fatos Makolli tregoi arsyet se kush mund t’i ketë dërguar kosovarët në zonat e luftës në Siri.

“Kjo është një çështje që është debatuar mjaft gjerë viteve të fundit Kemi raste të ndryshme ku gratë/vajzat në Kosovë kanë marrë vetiniciativë dhe kanë shkuar në zonat e konfliktit dhe atje më pas janë martuar, kemi familje që kanë shkuar së bashku por nuk mund të japim konkludime se kush i ka shtyrë të shkojë në luftërat e huaja”, tha ai.

Ai shtoi se do të mësohet se kush i kishte dërguar.

“Unë besoj se procesi hetimor nga prokuroria, policia gjykata do të jap verdiktin e fundit për këtë çështje”, tha Makolli.

Javën e kaluar në një aksion i cili mund të konsiderohet si një ndër aksionet më të mëdha antiterror në Kosovë, janë rikthyer 110 kosovar të cilët gjendeshin në zonat e konfliktit në Siri.

4 burra një nga ta i mitur, 32 gra e 74 fëmijë janë rikthyer me një aeroplan mesnatën e së premtes dhe të së shtunës.

Burrat janë arrestuar po atë natë dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë ku më pas i është caktuar masa e paraburgimit ndërsa gratë dhe fëmijët janë dërguar në Qendrën e Azilit në Vranidoll ku më pas janë mbajtur procese gjyqësore për caktimin e masë së sigurisë ndaj grave të rikthyera.

Nëntë nga fëmijët e rikthyer janë pa asnjërin prind.