U dha premiera e baletit 'Pushimi i kalorësve’

Baleti Kombëtar i Kosovës ka shfaqur dje (e enjte 5 mars 2020) në mbrëmje premierën e baletit, “Pushimi i kalorësve” me koreografi të Natalia Osipova, sipas Marius Petipa.

Shfaqja klasike me element komike, “Pushimi i kalorësve” është një rrëfim historik që ka ndodhur shumë vjet më parë në një qytezë austriake, histori e cila u rikthye mbrëmjen e së enjtes përmes skenës nga balerinët e BKK-së.

Përmes interpretimit brilant, skenografisë dhe kostumeve, balerinët e BKK-së sollën për publikun historitë e kalorësve me vajzat vendase, intrigat dhe luftën mes tyre për dashurinë me kalorësit ushtarak.

Në fund publiku nuk kurseu duartrokitjes për shfaqjen, por as vlerësimet.

Shfaqja “Pushimi i kalorësve’ është premiera e parë për këtë vit e Baletit Kombëtar, ndërsa koreografja Osipova ka pasur vetëm dy javë në dispozicion për të vënë në skenë shfaqjen.

Pavarësisht kohës së shkurtër dhe problemeve me të cilat ballafaqohet BKK-ja, koreografja Osipova është shprehur e qetë pas premierës, për faktin se balerinët kosovarë e dhanë në skenë ato të cilat ajo kishte kërkuar.

Koreografja Natalia Opsipova ka thënë për Kallxo.com pas premierës se balerinët me interpretimin e tyre përmbushën detyra e dhëna nga ajo.

“Mendoj se ishte një shfaqje e mirë dhe e arritshme. Nuk ishte e lehtë të përgatisësh një shfaqje të tillë për një kohë të shkurtër, për dy javë, por në fund shfaqja doli shumë mirë. Trupa e BKK është e re dhe ka dhënë maksimumin për këtë shfaqje duke ia përmbushur pritjejet e koreografes”, ka thënë Osipova për Kallxo.com.

Salajdin Kiçe, profesor baleti, ish-balerin i gjeneratës së parë të BK-së, ka potencuar për Kallxo.com se mbrëmjen e djeshme BKK-ja solli një shfaqje të realizuar duke treguar kështu një nivel të dëshiruar.

“Shfaqja ishte në nivel dhe mund të themi, se ne si gjenerata e parë kaplohemi nga emocionet kur shohin atë çfarë kemi lënë prapa. Pra një trupë të përtërirë e cila ka arritur nivelin e tashëm, sa që mund të përballen edhe me balete me jetëgjatësi 100 vjeçare”, ka thënë Kiçe.

Ndërkaq, balerinin Sead Vuniqi, është shprehur për Kallxo.com se balerinët kanë dhënë maksimumin për realizmin e kësaj shfaqje.

“Mendoj se sot kemi bërë më të mirën e mundshme duke marrë parasysh kohën e shkurtër, kushtet ndoshta edhe për shkak të skenës së shkurtër (vogël) e cila vazhdimisht po pengon realizimin si duhet të shfaqjeve tona”, ka thënë Vuniqi.