Shfaqja ‘55 Shades of Gay’ jepet në Ludwigshafen të Gjermanisë

Të dielen, më 29 shtator 2019, shfaqja “55 Shades of Gay” do të luhet në ‘Theater im Pfalzbau’ në Ludwigshafen të Gjermanisë.

Shfaqja “55 Shades of Gay” e Jeton Nezirajt është prodhim i Qendrës Multimedia në Prishtinë, ndërsa regjinë e ka bërë  Blerat Neziraj.

‘Theater im Pfalzbau’ është një nga teatrot më unike të Ludwigshafen të Gjermanisë, i cili përpos bashkëproduksionit vendor, përqendrohet që në programin e vet përgjatë vitit të ketë mysafire shfaqjet më unike të Evropës.

“55 Shades of Gay” është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë.

Në shfaqje, një çift gay bën kërkesë për kurorëzim në një qytet provincial konservativ dhe thellësisht homofob.

Intelektualë, artistë, politikanë, përfaqësues të fesë e bombahedhës profesionistë angazhohen që kjo martesë të mos ndodhë, pavarësisht se martesa e çifteve të së njëjtës gjini lejohet me kushtetutën e vendit, të cilën kryeministri e ka nënshkruar sipas udhëzimeve të BE-së.

“55 Shades of Gay” është realizuar nga një kastë e 5 aktorëve kosovarë dhe nga një ekip i artistëve teatrorë eminentë nga Gjermania, Kosova, Franca dhe Serbia.

Në shfaqje luajnë: Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Alketa Sylaj, Luan Durmishi (vokal), skenografia dhe kostumet: Sebastian Ellrich, muzika: Irena Popovic kurse koreografia: Florian Bilbao.