Pamje nga ekspozita për Trepçën. Foto: KALLXO.com.

Rrëfimet në ekspozitë për grevën e minatorëve pas më shumë se tri dekadash – VIDEO

Në Muzeun e Kombëtar të Kosovës po qëndron e hapur ekspozita  “Hapësira e përpjekjes politike: Miniera e Trepçës 1989”.

34- vjet më parë minatorët e minierës “Trepça” në Mitrovicë nisën një grevë urie.

Të ngujuar në horizontet e thella, ata protestonin kundër heqjes së autonomisë së Kosovës.

Greva e minatorëve të Trepçës nxiti reagime dhe trasoi rrugën për zhvillimet që do të pasonin për të kundërshtuar deinstitucionalizimin që po bënte Serbia, atë kohë .

Ekspozita “Hapësira e përpjekjes politike: Miniera e Trepçës 1989” sjellë për publikun fotografi e video-intervista me protagonistë të kohës, dëshmi e materiale të ndryshme ku shpalosen detaje nga greva e minatorëve.

Erëmirë Krasniqi, kuratore kësaj ekspozite thotë në një bisedë për KALLXO.com se realizmi i kësaj ekspozitë ka nisur më 2020.

“Kemi intervistuar shumë minatorë, familjarë të tyre, njerëz që kanë punuar në administratën e Trepçës. Mjekët, avokatë e gjykatës hetues, d.m.th. jemi fokusuar në vitin 1989, dhe gjithë intervistat që i kemi zhvillu për arkivin e hapur janë fokusuar rreth 1898 dhe grevës së minatorëve”-thotë ajo.

Kuratorja Krasniqi thotë se jo gjithmonë publikut i është treguar gjitha ajo çfarë ka ndodhur me grevën e minatorëve.

“Një prej arsyeve (për realizimin e ekspozitës) ka qenë kjo, mandej është edhe një moment shumë kyç për krejt relacionin tonë me (ish) Jugosllavinë, kështu që minatorët e Trepçës edhe konsiderohen që ia kanë jep njëfarë lloj fundi krejt atij konstalacioni, kështu që ka qenë me rendësi me ditë pak ma shumë. Si rëndom ne dimë për grevën e minatorëve, po kur hyjmë më në detaje e dimë që jo shumë qarkullon në domenin publik për atë ngjarje”- ka thënë ajo.

Kuratorja Krasniqi thotë se synimi i organizatorëve është që tregimi për Trepçën, të tregohet edhe në vendet tjera. “Materialet e ekspozitës janë të përkthyera edhe në gjuhën angleze dhe është përgatitur edhe një publikim për Trepçën edhe ky në dy gjuhë, që lidhet me komunitetin minerale të Trepçës nga 1923 deri 18989”-thotë ajo.

Shikuar nga aspekti dokumentar, ekspozita “Hapësira e përpjekjes politike: Miniera e Trepçës 1989” prezanton edhe dokumente me rëndësi historike.

Përveç Erëmirë Krasniqit për përgatitjen e ekspozitës kanë punuar edhe Renea Begolli, Anita Susuri, e Korab Krasniqi. Ekspozita për Trepçën është realizuar nga Iniciativa për Histori Gojore dhe forumZFD,  me mbështetje përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe National Endowment for Democracy (NED).

Greva e minatorëve të Trepçës u mbajt nga 20 deri më 28 shkurt 1989.

Ekspozita për Trepçën do të qëndrojë e hapur deri më 28 shkurt 2023 në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Pamje nga ekspozita për Trepçën. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita për Trepçën. Foto: KALLXO.com.

 

Pamje nga ekspozita për Trepçën. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita për Trepçën. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita për Trepçën. Foto: KALLXO.com.