Ekspozita ‘Shtegtime’ e Valbona Zherkës hapet në Galerinë e Ministrisë së Kulturës

Ekspozita personale “Shtegtime” e artistes Valbona Zherka do të hapet më 28.02.2024, në ora 19:00 në Galerinë  e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë (GMK).

Ekspozita është kuruar nga Vesa Sahatçiu.

GMK-ja ka bërë të ditur se kjo ekspozitë paraqet një përzgjedhje të kuruar të veprave të Zherkës nga periudha të ndryshme, duke përfshirë “Shpresa”, e cila përbëhet nga “Qëndresa” dhe “Kullat e Qëndresës” (1978-1980), “Ato” (1980 – në vazhdim) dhe “Rrugëtim” (1999-2023).

“Është një eksplorim i zhvillimit të saj stilistik ndër vite, duke u fokusuar posaçërisht në punën e saj si një proces; një praktikë që në shumë mënyra përcakton veprën e saj (si pikturë ashtu edhe tapiceri), dhe e bën këtë vepër meditative dhe ritualistike”- thuhet në njoftim.

Ekspozita, thuhet më tej në njoftimin e GMK-së, është pjesë e programit të manifestimeve shtetërore për shënimin e 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës që u shënua më 17.02.2024, 26 vjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Ekspozita do jetë e hapur deri më 30.03 2024.