Foto: BIRN

Portretet e të pandehurve hedhin dritë mbi gjyqet politike në Shqipërinë komuniste

Një ekspozitë me 150 fotografi “armiqsh shteti” që u ndoqën penalisht për arsye politike në gjyqet e zhvilluara në kinema ofron një pasqyrë të re mbi padrejtësitë e Shqipërisë së epokës komuniste.

Një ekspozitë me portretet e të pandehurve në gjyqet politike të epokës komuniste, nga arkivi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, do të qëndrojë hapur deri më 24 mars në Muzeun Marubi, muzeu kombëtar i fotografisë shqiptare në qytetin e Shkodrës.

Fotot janë realizuar në periudhën 1945-1961 në gjyqet e kundërshtarëve të regjimit komunist, të cilët u mbajtën në kinematë e Tiranës dhe të Shkodrës.

Ato përfshijnë imazhe nga gjyqi i parë i epokës komuniste të të pandehurve të akuzuar si “armiq të popullit” dhe kriminelë lufte, i cili u zhvillua nga 1 marsi deri më 12 prill 1945. Gjithsej 54 të pandehur u dënuan dhe 17 prej tyre u ekzekutuan.

Foto: BIRN

Ka gjithashtu fotografi nga pesë gjyqe të tjera personash që konsideroheshin armiq të partisë komuniste në pushtet.

“Ajo çka vlen të theksohet është se dënimet më të pamëshirshme, nga të cilat shumë prej të akuzuarve përfunduan në litar, para skuadrave të pushkatimit, apo u kalbën për dekada në burgje e kampe pune, u kryen në mjedise ku parësor ishte spektakli, fiksioni, konkretisht në salla kino- teatri”, thuhet në hyrjen e ekspozitës.

Foto: BIRN

Agjencia Telegrafike Shqiptare u krijua fillimisht si zyra e parë e shtypit e autoriteteve në vitin 1920 dhe pas Luftës së Dytë Botërore u bë një zëdhënëse propagandistike për regjimin komunist.

Drejtori i Muzeut Marubi, Luçjan Bedeni, tha për BIRN se fotot në ekspozitë janë unike, sepse ato nuk janë fotografi të destinuara për qëllime propagande.

Foto: BIRN

“Arsyeja e zgjedhjes së fotove që lidhen me proceset e para gjyqësore të diktaturës komuniste vjen nga një kërkim për të gjetur fotografi të realizuara në fakt pa drejtim të përcaktuar më parë”, shpjegoi Bedeni.

“Nëse e gjithë fototeka e ATA-s dominohet nga vija e qartë ideologjike e kohës, të vetmet imazhe që ‘e thyejnë’ këtë rregull janë ato të njerëzve që nuk janë duke pozuar”, shtoi ai.

Foto: BIRN

Ai gjithashtu vuri në dukje se kjo është hera e parë që fotot shfaqen në një format me cilësi të lartë.

“Njerëzit që fotografohen pa i kushtuar vëmendje aparatit fotografik janë të dënuar që ose do të vdesin ose do të vuajnë një dënim të gjatë. Të gjithë këta janë personalitete intelektuale të kohës”, tha ai.

Ekspozita e titulluar “Gjyqet – Një Hulumtim në Arkivin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare” do të qëndrojë e hapur deri më 24 mars./ Fjori Sinoruka, Balkan Insight