Skenë nga filmi 'Zgjoi'. Foto: QKK.

Qendra Kinematografike heshtë për përfitimet e realizuara nga të ardhurat e projekteve filmike të mbështetura ndër vite 

Rreth 10 milionë euro ka dhënë Qendra Kinematografike e Kosovës për mbështetje të projekteve filmike të produksioneve të ndryshme që nga viti 2008.

Por, QKK nuk ka treguar për KALLXO.com rreth kthimit të investimeve dhënë për mbështetja e projekteve filmike. Kurse, vetëm “Ikonë Studio”  nga produksionet përfituese i është përgjigjur interesimit të KALLXO.com rreth deklarimit dhe ndarjes së fitimeve me QKK-në.

Megjithatë me ligjin e ri që pritet të miratohet në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, producentët nuk obligohen t’i prezantojnë dhe ndajnë fitimet me QKK-në nga shfrytëzimi ekonomik i veprave filmike që realizohen më mbështetje publike.

QKK është institucion i vetëm në vend që menaxhon dhe shpërndan paranë publike dedikuar për mbështetje të projekteve filmike.

Sipas ligjit aktual për Kinematografinë, miratuar në 2004, QKK si bashkëproducent gëzon të drejtën edhe të përfitimit nga ndarja përpjesëtimore e të ardhurave nga shitja e të drejtave  e këtyre veprave filmike. Por, QKK nuk ka treguar ndonjë herë nëse ka pasur fitime që i janë paguar nga produksionet përfituese nga shfrytëzimi ekonomik i filmave që kjo qendër i ka mbështetur deri në masën 51%.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në QKK nëse kjo e fundit ka realizuar ndonjë herë fitime nga shitja të drejtave të veprave filmike ndër vite, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e artikullit. KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe te disa prej produksioneve përfituese nëse i kanë deklaruar fitimet dhe ndarë ato edhe me QKK-në.

Vetëm “Ikonë studio” i është përgjigjur interesimit të KALLXO.com. Nga kjo studio i kanë thënë KALLXO.com se në bazë të kontratës dhe ligjit për kinematografi i kanë prezantuar në QKK të hyrat për filmin ‘Zgjoi’ dhe ‘Ekzil’, duke i paguar qendrës edhe pjesën e saj.

“Për filmin ‘Zgjoi’, fitimi i realizuar për QKK-n viti 2021 19,686.04 euro (fitimi i inkasuar nga kompania e shitjes dhe transferuar te QKK 16,158.18 euro). Fitimi i realizuar për QKK-n viti 2022  7,622.71 euro (fitimi i inkasuar nga kompania e shitjes dhe transferuar te QKK  7,193.38 Euro). Mbetja prej 3,957.20 euro do të paguhet te QKK pas inkasimit të mjeteve nga kompania e shitjeve, sipas tyre me mbylljen Q1-023. Për filmin’”Ekzil’, fitimi i realizuar për QKK deri më tani është 112 euro e cila shumë i është paguar QKK-së” – thuhet në përgjigje e “Ikonë Studio” për KALLXO.com.

Sipas ligjit aktual për Kinematografi, QKK-ja merr pjesë në ndarjen përpjesëtimore të fitimeve nga shfaqja e filave të mbështetur.

“QKK do të ketë atributin e bashkëproducentit dhe do të marrë pjesë në ndarjen përpjesëtimore të bashkëfitimit nga shfrytëzimi ekonomik i veprës filmike në përputhje me kushtet e përcaktuara me kontratë, nëse me këtë ligj nuk përcaktohet ndryshe”- thuhet nën nenin 42, pika 4 e këtij ligji.

Me Rregulloren për subvencionimin e projekteve filmike nga QKK parashihet shpërndarja e fitimit nga eksploatimi – përfitimet nga shfrytëzimi ekonomik i veprës filmike, për një periudhë tri vjeçare. Sipas kësja rregulloreje producenti është i obliguar të informojë QKK-në për të gjitha kontratat që lidh me subjektet tjera për shfrytëzimin e veprave filmike.

Por, më Ligjin e ri për Kinematografinë, i cili ka kaluar në lexim të parë dhe pritet të hyjë në fuqi pas miratimin të lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, nuk i obligon produksionet përfituese t’i prezantojnë dhe ndajnë fitimet me QKK-në nga shfrytëzimi ekonomik i veprave filmike që realizohen më mbështetje edhe të parasë publike.

Sipas të dhënave që janë publike edhe në ueb-faqen e QKK-së, nga 2008 e deri tani janë mbështetur mbi 200 filma të zhanreve e metrazheve të ndryshme, mbështetje për zhvillim të skenarëve filmik e koproduksione. Shuma e mbështetje ka ardhur gjithnjë duke e rritur e pas 2018 ka kaluar mbi 1 milion euro për një vit shumë e mbështetjes.