Një muaj pas afatit, MKRS ua ndau fituesve çmimin "Katarina Josipi" për vitin 2023

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka organizuar sot ceremoninë e dorëzimit të çmimeve për dramë origjinale shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2023.

Aktori Astrit Kabashi fitoi çmimin e parë të konkursit “Katarina Josipi” për dramën “Gërrdia’’, shifra konkurruese ‘’Pamuk’’.

Çmimi i dytë iu dha dramaturgut Jeton Neziraj për dramën “Uellsi ka një mbret” me shifrën “Cardiff’’.

Kurse çmimin e tretë e mori Florent Kurtalani për dramën “Marshi i hijeve të diellit’’, shifra “Kokëçarja”.

Njoftimi për shifrat për tri dramat fituese të këtij konkursi për vitin 2023 janë publikuar më 12 dhjetor 2023.

Ndërsa, sot, MKRS, një muaj me vonesë, ka mbajtur ceremoninë për dorëzimin e këtyre çmimeve.

Sipas rregullores 05/2013, për ndarjen e çmimeve “Katarina Josipi” ceremonia e ndarjes së këtyre çmimeve duhet të bëhet çdo vit më 9 nëntor, në ditëlindjen pionieres së aktrimit kosovar, Katarina Josipi.

Çmimet “Katarina Josipi” për 2023 janë ndarë nga një juri në përbërje të Kushtrim Mehmetit, Ilire Vincës, Florent Mehmetit, Naser Shatrollit dhe Agron Shalës.

Ceremonia

Ceremonia e ndarjes së çmimeve “Katarina Josipi” për 2023 është mbajtur sot në kabinetin e ministrit të MKRS-së, Hajrulla Çeku, i cili mbajti edhe një fjalë rasti.

Ministri Çeku tha se këto çmime duhet të gjejnë vend për inskenim në teatrot tona.

“Po besoj se ideja e këtyre nuk ndalet vetëm me dhënien e çmimeve, por edhe në inskenimin e tyre”- tha ai, ndër të tjera.

Ndërsa, Ilire Vinca, në emër të jurisë tha se këtë herë ka pasur një nivel më të lartë të teksteve dramatike konkurruese.

Nga një fjalë rasti mbajtën edhe fituesit e sivjetmë të konkursit “Katarina Josipi”, të cilët thanë se vënia në skenë e këtyre dramave do të ishte një shtytje për autorët për të shkruar dramën shqipe.

Astrit Kabashi, fitues i çmimit të parë, tha se vlera e këtij konkursi do të rritej nëse veprat fituese inskenohen. “Nëse inskenohen në teatër këto vepra, i nxit edhe gjeneratat e reja të konkurrojnë, nëse jo këto vetëm mbesin në sirtar”- tha ai.

Ndërsa, Jeton Neziraj, fituesi i çmimit të dytë, tha se ky konkurs pavarësisht rënieve e ngritjes, që nga themelimi ka nxjerrë tekste të mira dramatike.

Kurse, fituesi i vendit të tretë, Florent Kurtalani, tha se çmimi i marrë është shtytje për krijime të reja.

Vonesa për ndarjen e çmimeve

Sipas Rregullores 05/2013 për ndarjen e çmimeve ‘Katerinaa Josipi”, MKRS çdo vit organizon konkurs për ndarjen e këtij çmimi.

Ndërsa, ceremonia e dorëzimit të çmimeve bëhet çdo vit nga MKRS më 9 nëntor, në ditëlindjen e Katarina Josipit.

“Çmimet dorëzohen në një ceremoni të veçantë të organizuar nga MKRS, më 9 nëntor- në ditëlindjen e Katarina Josipit. Në ceremoninë solemne të dorëzimit të çmimeve mund të ftohet të marrin pjesë personalitete të shquara të artit, kulturës dhe shkencës në Kosovë”- thuhet në rregullore.

Kushtrim Mehmeti, anëtar i jurisë për ndarjen e çmimeve dhe udhëheqës artistik në Teatrin Kombëtar, ka thënë për KALLXo.com se çështjet teknike kanë vonuar ndarjen e çmimeve të konkursit “Katarina Josipi” për këtë vit.

“Për arsye teknike ka ndodhur një vonesë, nuk lidhet asgjë me vendimet e juries”- ka thënë ai.

Çmimi për dramë origjinale shqipe, që mban e emrin e pionieres së aktrimit në Kosovë, Katarina Josipi, ka për qëllim stimulimin e krijimit të dramës shqipe.

Pamje nga ndarja e çmimeve ‘Katarina Josipi’ 2023. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ndarja e çmimeve ‘Katarina Josipi’ 2023. Foto: KALLXO.com.KALLXO.com.

 

Pamje nga ndraje e çmimeve ‘Katarina Josipi’ 2023. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ndarja e çmimeve ‘Katarina Josipi’ 2023. Foto: KALLXO.com.