Foto: KALLXO.com

Djegia e shtëpisë më të vjetër në Mitrovicë, flet pronari

Një prej shtëpive më të vjetra, në mos më e vjetra, në Mitrovicë është përfshirë mbrëmë nga flakët.

Shtëpia e familjes Koroglu ishte shpallur pjesë e trashëgimisë kulturore.

Familja thotë se nuk e di se si u përfshi shtëpia nga flaka.

Pronari i saj, Adnan Koroglu, tha se shtëpia e tij është më e vjetra në qytet.

Ai tha se në momentin kur shtëpia është kapluar nga flaka ai nuk ka qenë në shtëpi dhe se dikush e ka lajmëruar se shtëpia është në flakë.

Koroglu thotë se në shtëpinë që u dogj mbrëmë nuk kanë qenë duke jetuar.

Me rëndësi, sipas tij, që nuk ka dëme në njerëz.

Ai tregon se Ministria e Kulturës e kishte marrë përsipër restaurimin e saj pas dëmeve që ishin shkaktuar muaj më parë.

“Prej shiut u damtu kjo shtëpi. Por po thojnë që mas atina dikush me ni ekskavator në një pjesë e ka rrëzu. Unë s’e kam pa, see di. Por shumica u rrëzu prej shiut. Atëherë kur u rrëzu prej shiut reagoi Ministria, për me ndreqë. I lejova le ta rrethojnë. Dje ia nisën punimet për me e bo konstruksonin. Deri në 17:30 kanë punu punëtorët këtu. Në 7:30, në aksham, u kall” – tha Koroglu.

Adnan Koroglu tha se deri në rrënimin e një pjese të kësaj shtëpie, që ka ndodhur në gusht të këtij viti, askush nuk ka reaguar.

“Nuk është mirë. Por mjerisht në qoftë se Ministria ose shteti don diçka me e mbrojtë le ta merr, le ta kompenson edhe le ta mbronë, thjesht. Si na që kena kërku merreni, mbrojeni qysh doni, ndërtojeni, rrëzojeni, kalleni, është pronë e juaja, vetëm le të bohen prona juaj, jo prona jem. Por mjerisht ata kurrë nuk kanë reagu. Ata nuk kanë dashtë apo çka nuk e di. Na u kemi ofru të gjitha mundësitë për këtë shtëpi, s’kanë dashtë, ka mbetë qashtu. Kur u rrëzu zidi para dy muajve, atëherë u çun peshë të gjithë. E dje ma e keqja u bo, u kall” – tha ai.

Sipas tij, shtëpia ka qenë e banuar deri më 2008.

https://kallxo.com/kulture/rrenohet-nje-pjese-e-shtepise-se-familjes-koroglu-e-mbrojtur-me-ligj-reagon-rrjeti-i-ojq-ve-ne-mitrovice/?fbclid=IwAR1AUUVCnMeN8G16Odz_7xIBfu-xXVLSHYstqFCckg_dhWaiEjMP7OdCrxU

E djegien e kësaj shtëpie e ka dënuar edhe ministri Hajrulla Çeku, i cili i quan “barbarë” ata persona që kanë bërë një gjë të tillë.

Përmes një postimi në facebook ai pohoi se punimet kishin filluar dje.

“Pas një rezistence të madhe nga familja dhe një tentim rrënimi së fundmi, dje patën filluar ndërhyrjet për shpëtimin e shtëpisë së familjes Koroglu në Mitrovicë. Pasi e kuptuan që nuk zmbrapsemi nga detyrimi ynë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, qyqarët në mënyrë tinëzare pasi ra terri ia vunë flakën shtëpisë së shekullit XIX”- u shpreh Çeku.

Tutje ai tha se këta persona do ta paguajnë për dëmin e bërë dhe pret që gjykata dhe prokuroria të marrin masa.

“Nuk do t’ia dalin, shtëpia do të restaurohet. Dhe do t’i përdorim të gjitha mundësitë ligjore që faturën e restaurimit ta paguajnë ata që ia vunë flakën. Pres kapjen dhe ndëshkimin e kriminelëve. Prokuroritë dhe gjykatat tona kanë rol qendror në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”- theksoi ministri.

Ai përfundoi se dënimet e deritanishme me gjobë nga 200 deri 700 euro për dëmtim të monumenteve, kur Kodi Penal parasheh deri në 500 mijë euro e burgim efektiv, janë vetëm inkurajim për keqbërësit.