Foto: KALLXO.com

Djegia e shtëpisë së vjetër në Mitrovicë – Pronari ndalohet për 48 orë, dyshohet se ishte në dijeni për materiet e rrezikshme brenda saj

Policia e Kosovës e ka ndaluar për 48 orë pronarin e shtëpisë së djegur në Mitrovicë – pjesë e trashëgimisë kulturore, pasi që i njëjti dyshohet se ishte në dijeni për 36 bidonë të mbushur e të shenjëzuar për materie të rrezikshme-ndezëse në katin përdhesë të shtëpisë, para se e njëjta të përfshihet nga flakët.

Policia e Kosovës ka theksuar se bazuar në hetimet fillestare, bëhet e ditur se pronari i shtëpisë ishte në dijeni për vendndodhjen e këtyre bidonve ku përkundër zjarrit të shkaktuar, i njëjti nuk kishte njoftuar policinë apo zjarrfikësit.

Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, ka thënë për KALLXO.com se i njëjti është dyshuar për bidonët dhe jo për veprën zjarrvënie.

“Lidhur me veprën penale ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ të ndodhur më 31 tetor 2023, gjatë hetimeve dhe ekzaminimeve të vendit të ngjarjes, në rrugën “Nexhip Dragaj” në Mitrovicë, ku një shtëpi e pabanuar pjesë e trashëgimisë kulturore ishte përfshirë nga zjarri. Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në mbeshtetje të ekspertit të zjarreve gjatë ekzaminimit  në katin përdhesë të shtëpisë kanë hasur  tridhjet e gjashtë (36) bidon të mbushur të shënjëzuar me  shenjën me matrie të rrezikshme-ndezëse”- thuhet ndërkaq në njoftimin e PK.

Tutje sipas policisë i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Për të gjitha veprimet e ndërmarra hetimore, Policia thekson se është njoftuar prokurori, i cili ndaj pronarit të shtëpisë A.K., 76-vjeçar, ka lëshuar aktvendim për ndalim 48 orësh, si i dyshuar për veprën penale ‘Mbajtje e paligjshme e substancave dhe mbeturinave të rrezikshme’”.

Për largimin e këtyre bidonëve janë angazhuar edhe njësi të specializuara për trajtimin e materieve të rrezikshme nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Ndërkaq, të mërkurën pronari i shtëpisë, Adnan Koroglu, tha për KALLXO.com, se në momentin kur shtëpia është kapluar nga flaka ai nuk ka qenë në shtëpi dhe se dikush e ka lajmëruar se shtëpia është në flakë.

Koroglu tha se shtëpia ka qenë e pabanuar.

“Prej shiut u damtu kjo shtëpi. Por po thojnë që mas atina dikush me ni ekskavator në një pjesë e ka rrëzu. Unë s’e kam pa, se di. Por shumica u rrëzu prej shiut. Atëherë kur u rrëzu prej shiut reagoi Ministria, për me ndreqë. I lejova le ta rrethojnë. Dje ia nisën punimet për me e bo konstruksonin. Deri në 17:30 kanë punu punëtorët këtu. Në 7:30, në aksham, u kall” – kishte thënë Koroglu.

E djegien e kësaj shtëpie e ka dënuar edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

“Pas një rezistence të madhe nga familja dhe një tentim rrënimi së fundmi, dje patën filluar ndërhyrjet për shpëtimin e shtëpisë së familjes Koroglu në Mitrovicë. Pasi e kuptuan që nuk zmbrapsemi nga detyrimi ynë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, qyqarët në mënyrë tinëzare pasi ra terri ia vunë flakën shtëpisë së shekullit XIX”- u shpreh Çeku.

Tutje ai tha se këta persona do ta paguajnë për dëmin e bërë dhe pret që gjykata dhe prokuroria të marrin masa.

“Nuk do t’ia dalin, shtëpia do të restaurohet. Dhe do t’i përdorim të gjitha mundësitë ligjore që faturën e restaurimit ta paguajnë ata që ia vunë flakën. Pres kapjen dhe ndëshkimin e kriminelëve. Prokuroritë dhe gjykatat tona kanë rol qendror në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”- theksoi ministri.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për djegien e kësaj shtëpie.

https://kallxo.com/lajm/mitrovice-digjet-nje-shtepi-pjese-e-trashegimise-kulturore/

https://kallxo.com/lajm/djegia-e-shtepise-me-te-vjeter-ne-mitrovice-flet-pronari/