40 kandidatë në garë për 7-të pozitat e Bordit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore

40 persona kanë konkurruar në konkursin për zgjedhjen e 7-të anëtarëve të Bordit të Këshillit të Kosovës për Trashëgiminë Kulturore.

Në një përgjigje për KALLXO.com, nga drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës, thuhet se për 7 pozita e Bordit të KKTK-së, Kuvendi ka pranuar 40 aplikacione.

Në fillim të këtij muaji Kuvendi i Kosovës rihapi konkursin për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të KKTK-së, pasi dështimit të konkursit të vitit të kaluar.

“Më 14.05.2021 ka përfunduar afati i aplikimit për zgjedhjen e shtatë (7) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Për këtë pozitë kanë aplikuar 39 kandidatë dhe në afatin e pritjes me postë është pranuar një aplikacion-kandidat. Pra, kanë aplikuar gjithsej 40 kandidatë”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë për media dhe marrëdhënie me publikun.

Por, nuk kanë treguar se kur do të nisë procesi i përzgjedhjes së kandidatëve.

Këshilli i Kosovës për Trashëgiminë Kulturore është organi më i lartë në vende për trashëgiminë kulturore, i cili vlerëson ndër të tjerash edhe asetet të cilat duhet të hyjnë në listë të përhershme të trashëgimisë së mbrojtur.

Në korrik 2018 kishte skaduar mandate i përbërjes së kaluar të anëtarëve të KKTK-së dhe që atëherë Kuvendi i Kosovës, si themeluesi i këtij institucioni, nuk ka mundur të zgjedhë përbërjen e re të Bordit të KKTK-së.

Bordi i KKTK-së përbëhet nga shtatë (7) anëtarë të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës se Kosovës me mandat tri (3) vjeçar, duke respektuar përbërjen etnike në Kosovë.

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore – KKTK është agjenci e pavarur e themeluar në përputhje me nenin 142 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në bazë të Ligjit Nr. 02/L-88 Për Trashëgimi Kulturore.