Germat prej Bore të Kryeministrit

As një germë s'i hiqet këtij Ligji që e keni para jush

Ramush Haradinaj, Shkurt 2018

Qëndrim i ndërruar

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, brenda 24 orësh ka ndërruar qëndrim.

Të premten e 23 shkurtit, në seancën e jashtëzakonshme për Demarkacionin, ai kishte folur me nervozizëm para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionint të vitit 2015.

“Marre ju koftë, marre ju koftë. Kurgjo në rregull s’keni, s’po ju vjen marre, jeni kundër raportit që munet me u gjetë e vërteta e territorit t’juj. Qiky raport o ka ju pengon, ku po ju dhem? Qëto e keni problemin, po doni me qujtë dokument orientues – Jo sa t’jam unë, jo”, ka thënë Haradinaj, duke iu drejtuar deputetëve të LDK-së.

Në kohën kur Haradinaj po u drejtohej deputetëve në sallë kishte ndërhyrje të deputetëve, të cilat nuk dëgjoheshin. Dëgjohej vetëm përgjigjja e Haradinajt.

“… Epo s’ka ligj tjetër”, vazhdoi Haradinaj fjalimin e tij. “As një germë s’i heket këtij ligji që e keni para jush. Bllokoni qytetarët, leni pa liberalizim, leni pa krejt!”, thoshte ai.

Të nesërmen dolën shumë lajme për arritjen e një akordi në mes të partive në pushtet dhe LDK-së. Në fillim nuk dihej kush ka lëshuar pe.

Por, kjo u kuptua pas paraqitjes publike në Haradinajt në një konferencë të jashtëzakonshme për media në ora 20:00.

Ai kishte ndërruar qëndrim.

“Për të votu Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, ligj i cili po ashtu përmban, pra dokument që përmban pos Marrëveshjes edhe raportin e komisionit shtetëror si ‘orientim’ dhe deklaratën e dy presidentëve”,  kishte thënë Haradinaj.

Ramush Haradinaj: “As ni germë s’i heket këtij Ligji që e keni para jush… ‘Qiky raport (raporti i Komisionit të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi) o ka ju pengon, ku po ju dhem? Qëto e keni problemin, po doni me qujtë dokument orientues. Jo sa t’jom unë, jo’.

Vlerësimi: Kryeministri Haradinaj ishte i vendosur në paraqitjen e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Nuk i kishte kursyer fjalët drejtuar deputetëve të LDK-së. Aty ai bëri dy zotime: 1. ‘As ni germë s’i heket këtij Ligji që e keni para jush’ dhe 2. ‘Qiky raport o ka ju pengon, ku po ju dhem? Qëto e keni problemin, po doni me qujt dokument orientues – Jo sa t’jom une, jo’. Të dy këto zotime, Haradinaj nuk i mbajti. Ka ndryshuar qëndrim. E ka ndryshuar përmbajtjen e Ligjit dhe ka pranuar që raporti i Komisionit të udhëhequr nga Bulliqi të jetë vetëm dokument orientues.

  • E Vërtetë

  • Pjesërisht E Vërtetë

  • Me Kos

  • Rrenë

  • Rrenë e kryptë

  • Qëndrim i ndërruar

  • Hetimet vazhdojnë

Haradinaj së fundmi e ka akuzuar LDK-në që nuk po e pranon komisionin shtetërore të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, që siç tha ai, paguhet nga taksat e qytetarëve dhe nuk është as i tij, e as i babës së tij.

“Qeveria e venit t’juj, e taksapaguesve t’juj ka formu ni komision me i këqyr qato dilema. Qaj komision ka punu ni raport, ai raport nuk është i Ramushit e as i babës Hilmi, është i Kosovës”, u kishte thënë ai deputetëve të LDK-së të premten e kaluar.

Por, tri vite më herët, në korrik të 2015-tës, Haradinaj e kishte quajtur ‘peder’ dhe ia përplasi hartat fytyrës kryetarit të komisionit të atëhershëm shtetëror, i cili po ashtu ishte formuar nga Qeveria dhe po ashtu paguhej nga taksat e qytetarëve të Kosovës.

“Je t’u na rrejt bre vëlla, nuk e di a ju paguan Mali i Zi a dreqi… lej këto përralla… spo t’vjen marre”, i kishte thënë Haradinaj kryetarit të Komisionit për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, Murat Meha.

Në mbledhjen e parë të punës së tij, vendimi i parë si kryeministër ishte shkarkimi i këtij Komisioni dhe emërimi i Komisionit të ri, në krye me Bulliqin.

Kryeministri sot thërret për të votuar Marrëveshjen e 2015-tës, të cilën dikur e kundërshtonte dhe e cila është arritur mbi të gjeturat e ish-Komisionit të Murat Mehës. Kësaj Marrëveshjeje i është shtuar edhe deklarata e dy presidentëve, të Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe për çështje të orientimit edhe raporti i Komisionit të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi.

Kur AAK ishte në opozitë, bashkë me Nismën dhe Vetëvendosjen, kishin mbajtur protesta të dhunshme e kishin hedhur edhe lotsjellës në Kuvend për të kundërshtuar këtë Marrëveshje.

Kaçaniku në pritje të ujit

by Qëndresë Mustafa
NA NDIQNI

Send this to a friend