Kosova më Afër Evropës, Nënshkruhet MSA

Kosova dhe Bashkimi Evropian sot zyrtarisht kanë nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim-Asocim.

Marrëveshja është nënshkruar në Strasburg nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, Ministri për Integrime Evropiane Bekim Çollaku dhe Përfaqësuesja e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas nënshkrimit të Marrëveshjes, ka thënë se kjo ditë është ndër ditët më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje, konfirmuam vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës drejt perspektivës eurointegruese dhe hapjen e një kapitulli të ri për Kosovën. Kjo Marrëveshje vulos rrugën e Kosovës drejt BE-së, rrugë e cila nuk ka kthim, por i hapë mundësi Kosovës drejt reformimit, përshtatjes dhe implementimit të reformave në të gjithë sektorët”, theksoi kryeministri Mustafa.

Ndërsa përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme, Federica Mogherini, tha se është mirë që më në fund u nënshkrua MSA-ja.

“Presim që kjo të hyjë në fuqi sa më parë që është e mundur. Pas kësaj do të ketë shumë të mira për njerëzit e Kosovës dhe për Bashkimin Evropian, për stabilitetin dhe integrimin e rajonit. Është një moment i mirë” theksoi ajo.

E komisionari i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, tha se MSA-ja është një arritje e madhe në marrëdhëniet dypalëshe.

“Është një ditë e madhe për të gjithë ne, duke falënderuar ekipet tona, pa të cilat kjo gjë nuk do të ishte arritur. Mezi pres që të jem në Kosovë javën e ardhshme dhe të çojmë deri në fund atë për të cilën jemi marrë vesh sot dhe të shohim për mundësitë se si ta zbatojmë, sepse tash është koha për zbatim”,  u shpreh komisionari Hahn.

Ndërsa ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, pasi ka nënshkruar këtë dokument, ka thënë se Kosova është e gatshme për të marrë përsipër detyrime dhe të bëjë reforma të nevojshme për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE.

“Kjo nënkupton më shumë mbështetje për të bërë reformat që i duhen vendit tonë: duke filluar që nga luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, përforcimi i mëtejmë i sundimit të ligjit, deri tek reformat ekonomike, me qëllim të rritjes së vendeve të punës dhe rritjen e këmbimit tregtar me BE, duke e rritur eksportin e prodhimeve kosovare”, tha Çollaku.

Pas nënshkrimit, MSA pritet të sillet në Kuvendin e Kosovës për ratifikim.