Soliteri 2, Prishtine

Rrjeti i vjetër i kanalizimit shkak i grumbullimit të ujit në bodrumin e Soliterit 2 në kryeqytet (Pamje)

Banorë të Soliterit 2 në lagjen ‘Ulpiana’ në Prishtinë janë duke u përballur në vazhdimësi me probleme nga rrjeti i vjetër i kanalizimit dhe mbushja e bodrumit të ndërtesës me ujë.

Banorë të kësaj ndërtese në një prononcim për KALLXO.com thonë se uji në bodrume përpos që po e dëmton infrastrukturën po i rrezikon edhe banorët pasi aty ndodhet rrjeti i ngrohtores ‘Termokos’.

Sipas tyre, ndërtesa ka një pompë për tërheqje të ujit, por kjo nuk  mjafton pasi problemi me ujë shfaqet vazhdimisht.

Lidhur më këtë çështje, nga kompania rajonale e ujësjellësit ‘Prishtina’ kanë thënë se aty kanë të bëjnë me një rrjet shumë të vjetër të kanalizimit.

Sipas tyre, kompania çdo 10 ditë del për intervenime.

“Në atë zonë, respektivisht te “Soliteri 2” në Prishtinë kemi të bëjmë me një rrjet të vjetërsuar të kanalizimit dhe me një diametër më të vogël se sa ka ngarkesa të shkarkimit. Ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të kanalizimit me përkushtim të jashtëzakonshëm( çdo të dhjetën ditë) intervenojnë në zhbllokimin dhe pastrimin e pusetës te ai soliter, sa herë që është kërkuar dhe kërkohet nga ne, prej banorëve të ndërtesës”, thuhet nga ujësjellësi.

Nga kompania tutje theksojnë se edhe për shkak të hedhjes së mbeturinave të shumta, puseta bllokohet dhe uji hyn në bodrum të ndërtesës.

“Është e vërtetë që për shkak të mbeturinave të shumta nga pakujdesitë, aty bllokohet shpesh puseta, derisa në moment që bllokohet iu hyn banorëve në bodrumin e tyre, pra krejt kthehet brenda”, thuhet tutje nga kompania.

Ujësjellësi tutje potencon se, zhbllokimi dhe pastrimi i pusetës është vetëm zgjidhje e përkohshme, pasi aty duhet ndërhyrje më e madhe në rrjetin e kanalizimit.

Sipas tyre, Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’ mirëmban rrjetin ekzistues por nuk e ndërron atë.

Komuna e Prishtinës ka në plan që në bashkëpunim me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) të bëjë renovimin e fasadave dhe përmirësimin e efikasitetit të energjisë elektrike te pesë ‘Soliterët’ në lagjen ‘Ulpiana’.

Sipas të dhënave, do të rinovohet i tërë mbështjellësi i ndërtesave (fasada dhe dritaret), kulmet, hapësirat e përbashkëta, si dhe Ndërmarrja Publike Banesore ka marrë përsipër të rregullojë problemet me instalime të ujit dhe kanalizimit aty ku është e nevojshme.

E gjithë kjo ndërhyrje në infrastrukturën e soliterëve pritet të nis brenda këtij viti.

Soliteri 2, Prishtine