Përparim Rama: Do përmbysim hierarkinë që i dha përparësi makinave, këmbësori do jetë prioritet

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama mori pjesë në shpalosjen e projektit për pastrimin e ajrit, projekt ky i mbështetur nga Millennium Challenge Corporation (MCC) me qëllim të mbledhjes së të dhënave të cilësisë së ajrit në Prishtinë.

I pari kryeqendrës tha se Millennium Challenge Corporation (MCC) ka bërë punë shumë të mirë me projektet me Termokosin dhe mbledhjen e të dhënave për cilësinë e ajrit në bashkëpunim me Institutin Hidrometeorologjik (IHMK).

“Dua të shpreh mirënjohjen për MCC dhe veçmas projektet që lidhen me cilësinë e ajrit në Prishtinë, si ai i matësve me Termokosin dhe projekti për mbledhjen e të dhënave të cilësisë së ajrit në Prishtinë me IHMK. Të dyja këto iniciativa të rëndësishme ndikojnë shumë në cilësinë e jetës së qytetarëve”, ka thënë Rama.

Ai përmendi edhe disa prej faktorëve që ndikojnë në ndotjen e ajrit në kryeqytet, sidomos në sezonin dimëror.

“Ndotja e ajrit në kryeqytet sipas hulumtimeve shkaktohet nga tre faktor kyç: djegia e drurit dhe qymyrit, ndotja nga veprimtaritë industriale dhe ndotja nga trafiku i rënduar urban. Më vjen keq që viteve të fundit niveli i ndotjes së ajrit në kryeqytet, shpesh ka kapur majat e listave botërore për ndotje”, ka thënë Rama.

Ai theksoi se gjatë fushatës ka prezantuar edhe projekte që do përmirësonin gjendjen e ajrit në kryeqytet.

“Ndër to janë shtrirja e rrjetit të ngrohjes qendrore nëpër lagje të reja dhe në këtë kuadër kërkoj bashkëpunim me MCC dhe njëkohësisht edhe ruajtjen e pyjeve dhe zonave të gjelbra që për fat të keq po shkatërrohen”, tha Rama.

Ndotja e ajrit në Prishtinë

Sipas tij, gjatë mandatit do mbillen 250 hektarë drunjë që do ndikojë direkt në cilësinë ajrit në qytet.

“Prishtinës t’i shtohet dukshëm gjelbërimi, si mënyrë efikase për pastrim të ajrit, kjo do bëhet me mbledhje të mbi 250 hektarëve me drunjë. Po ashtu projekti për riciklim të mbeturinave të ngurta shpresoj të bëhet shumë shpejt”, shtoi Rama.

Ai tha gjithashtu se projekti që ka prezantuar për ridefinim të qendrës, parasheh që këmbësori të ketë prioritet kundrejt makinave dhe do ndikojë edhe në gjendjen me ajrin, sidomos gjatë dimrit.

“Ndër synimet e mija është ngritja e vlerës shoqërore, në këtë kontekst kam planifikuar projektin për ridefinim të qendrës që do nis nga qyteti i vjetër deri të rrethi i flamurit. Deri tani prioritet i është dhënë veturave e shumë më pak transportit publik e alternativ. Synim kam ta përmbys këtë hierarki, ku këmbësori do jetë i pari dhe do ketë autobusë elektrik”, shtoi Rama.

Përpos Ramës, në këtë konferencë morën pjesë edhe përfaqësuesi i ambasadës së Amerikës Nicholas Giaccobe si dhe përfaqësues të Millennium Challenge Corporation (MCC)  Mahmoud Bah, Sarah Oimstead dhe Petrit Selimi.