Kopshti me baze ne komunitet 'Botanika'

Nuk subvencionohen prindërit në kopshtet me bazë në komunitet, komuna e Prishtinës deklarohet për vonesën

Prindërit e Institucioneve Parashkollore (I.P) me bazë në komunitet në Prishtinë, nuk kanë marr subvencion nga ana e komunës në muajt korrik, gusht dhe shtator.

Kështu bën të ditur drejtuesit e këtyre kopshteve përmes një letre dërguar prindërve që kanë fëmijët në këto kopshte.

Disa prindër paguajnë shumën e plotë 80 euro në këto kopshte, por kategori të caktuara subvencionohen nga komuna për arsyet kur punon vetëm njëri prind apo pagat e tyre nuk i kalojnë 500 euro kur bëhen bashkë.

Mos subvencionimi gjatë këtyre tre muajve ka bërë që stafi nëpër këto kopshte të ketë probleme me pagat, pasi varen kryesisht nga të hyrat që marrin prej prindërve.

Drejtoresha e Arsimit në Komunë, Besianë Musmurati në një deklarim për KALLXXO.com ka bërë të ditur se nga ky muaj ka nisur ekzekutimi i pagesave për kategori të caktuara prindërve që marrin subvencion nga komuna.

Sipas saj, vonesa në pagesë ka ardhur si pasojë e buxhetit të pamjaftueshëm që ka qenë i alokuar për këtë kategori.

“Ka pasur vonesa pasi buxheti i alokuar për sivjet për subvencionim nuk ka qenë i mjaftueshëm. Në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal e kemi rritur buxhetin për subvencionim, dhe prandaj gjatë muajit kanë filluar ekzekutimet e pagesave”- është shprehur Musmurati.

Sipas drejtoreshës së arsimit, këtë vit kanë paguar edhe për dy muaj të vitit të kaluar andaj ka pas edhe shpenzim më të madh.

“Për shkak që këtë vit kemi paguar dy muaj të vitit të kaluar, ka pasur shpenzim më të madh të buxhetit për këtë kategori”- shtoi ajo.

Marrëveshja e komunës me këto kopshte për subvencionim të kategorive të caktuara të prindërve është nënshkruar nga ish kryetari Shpend Ahmeti.

Subvencionimi për kopshtet ka qenë edhe premtim i kryetarit Përparim Rama gjatë shpalosjes së planit qeverisës.

Kopshtet me bazë në komunitet ndihmohen nga komuna me shujtat ushqimore, ndërmarrja komunale ‘Kuzhina Qendrore’ përpos kopshteve publike, shpërndanë ushqimin edhe në ato me bazë në komunitet.

Komuna e Prishtinës ka nëntë kopshte me bazë në komunitet dhe tetë çerdhe publike.