Një klasë në shkollën fillore “Pavarësia”. FOTO: KALLXO.com

Eliminimi i ndërrimit të tretë, shkollës ‘Pavarësia’ në kryeqytet do i shtohet një aneks

Komuna e Prishtinës ka ndarë 900 mijë euro për ndërtim të një aneksi për shkollën fillore ‘Pavarësia’ në kryeqytet në mënyrë që të eliminojë mësimin me tre ndërrime.

Përmes një procedure të kufizuar Komuna ka nënshkruar kontratë me operatorin ekonomik Rexha, Termomontimi.

Drejtoresha e Arsimit në Komunë, Besianë Musmurati, për Kallxo.com ka bërë të ditur se plani për përfundim të punimeve është 100 ditë pune.

“Aneksi po ndërtohet për të krijuar më shumë hapësira në shkollë që eliminohet ndërrimi i tretë. Po besojmë që punimet do të përfundojnë brenda 100 ditësh nga fillimi i punimeve”- ka thënë Musmurati.

Shkolla fillore ‘Pavarësia’ është ndër më të ngarkuarat në kryeqtet sa i përket numrit të nxënesve.

Aktualisht kjo shkollë ka mbi 1,800 nxënës, derisa ka vetëm 22 klasë.

Madje edhe numri i nxënësve në klasë shkon deri në 38-39 në një klasë.

Si pasojë e kësaj, shkolla është detyruar që të punojë me tri ndërrime, ku i pari fillon në ora 07:30 në mëngjes dhe e treti përfundon në orën 19:00.

Një prej aryseve pse kjo shkollë ka mbingarkesë është edhe ndërtimi i shumë banesave në lagjen “Mati 1”, si dhe shtimi i numrit të banorëve në këtë lagje.

Në maj të këtij viti Komuna e Prishtinës ka nënshkruar marrëveshje me Korporatën Ndërkombëtare për Financa (IFC) për ndërtim të pesë shkollave të reja me partneritet publiko-privat.

Lokacionet preliminare të shkollave të reja janë në lagjet: “Arbëria”, “Mati 1”, “Veternik”, “Kalabri” dhe “Qendër”.

Shkolla “Pavarësia” në Prishtinë me 1814 nxënës e vetëm 22 dhoma mësimi