Në Prishtinë pritet të ndërtohet shkollë fillore dhe e mesme e arteve
Komuna e Prishtinës ka në plan që në vitin 2024 të nis ndërtimin e një shkolle fillore dhe të mesme të arteve pamore dhe performancës.
Për këtë shkollë që do ndërtohet afër objektit të ish Rilindjes, aktualisht është paraparë ndarja e 700 mijë eurove, derisa do përfshijë muzikë, dramë e pritet të ketë edhe risi tjera.
“Do jetë shkollë fillore dhe e mesme e muzikës, shkollë e mesme e artit dhe dramës, jemi duke mbajtur workshope me profesioniste të fushës dhe MASHT që të saktësojmë profilet sepse janë profile të reja që nuk kanë ekzistuar më herët”- ka deklaruar për Kallxo.com drejtoresha e Arsimit në komunë, Besianë Musmurati.
Musmurati tutje potencoi se janë ende ne fazën e hartimit të projektit ideor.
“Pas hartimit të projektit ideor pastaj do të bëhet tenderimi për fillim të ndërtimit”- u shpreh tutje ajo.
Kriteret për pranim në këtë shkollë nuk janë përcaktuar ende pasi nuk janë finalizuar profilet përfundimtare që do ketë shkolla.
Aktualisht në Prishtinë është shkolla e mesme e muzikës ‘Prenk Jakova’ e cila ndan një objekt me shkollën e mesme të mjekësisë ‘Ali Sokoli’.
Komuna pati deklaruar se për këtë shkollë do lëshohet një pjesë tek Pallati i Rinisë, por deri tani nuk ka diçka konkrete.
Komuna e Prishtinës gjatë vitit 2024 parasheh edhe ndërtim të shkollave fillore me Partneritet Publiko-Privat në lagjet ‘Sofalia’, ‘Mati 1’ dhe në ‘Veternik’ e cila tashmë është në proces ndërtimi.
Po ashtu, ndërtim shkolle do ketë edhe në lagjen ‘Kalabria’ dhe një objekt për shkollën e mesme të Tregtisë, Hotelerisë dhe Turizmit.