Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Matja e premtimeve në sigurinë publike të kryetarit të Dragashit

Teksa fliste në debatin zgjedhor për zgjedhjet lokale të 2021, kur kandidonte për të parin e Dragashit, Bexhet Xeladini ishte përkujdesur që të mos jepte ndonjë premtim të veçantë, në lidhje me sigurinë publike.

Ai kishte thënë se si parti (LDK) do të angazhohen që sa më pak te ketë probleme në sigurinë publike në komunën e Dragashit.

Xheladini thoshte se në komunën e tij nuk përkojnë shprehjet ‘radikalizmi dhe ekstremizmi’.

“Megjithëse shprehja radikalizmi dhe ekstremizmi nuk përkon me këtë term komuna jonë, për arsye se ne brez pas brezi kësi probleme në komunën tonë nuk kemi pasur. Kjo falë kulturës tonë të lartë të popullatës që e kemi atje, falë përkushtimit të madh që popullata i kushton familjes” – kishte thënë Xheladini në Debat Përnime, kur ishte pyetur për këtë temë.

“Gjithashtu edhe një punë të madhe e kanë bërë edhe punëtorët e arsimit, edhe organet e rendit, por nuk duhet të mohojmë edhe punën shumë të madhe të klerikut fetar, xhamiave dhe imamëve të xhamiave që luajnë një rol të madh në edukimin sidomos të rinisë, sepse në këto institucione fetare e ndjekin besimin fetar shumë fëmijë, të cilët edukohen shumë mirë”.

Rreth 1 vjet pasi që është zgjedhur në këtë pozitë, kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini, thotë se prej që është zgjedhur në këtë pozitë, në Dragash nuk ka pasur asnjë rast të shfaqjes së ekstremizmit, radikalizmit apo të terrorizmit.

Marrë parasysh që në Dragash jetojnë tri komunitete, ai shqiptar, goran dhe boshnjak, Xheladini thotë se nuk ka pasur as shprehje të radikalizmit apo ekstremizmit në aspektin nacional.

“Duke marrë parasysh që këtu jetojnë tri komunitete, shqiotar, goran dhe boshnjak, nuk kemi pasur radikalizim sa i përket aspektit nacional. Edhe pse këtu është një fe, feja muslimane. Por në kuadër të kësaj feje ka persona që kanë sekte të ndryshme, as radikalizëm nuk ka pasur kuadër të këtyre grupeve. As radikalizëm fetar, e as radikalizëm gjinor e as grupor. Ka qenë një situatë shumë e mirë, merita për këtë nuk po them që i takon kryetarit, normal që një meritë i takon kryetarit, por që merita më e madhe i takon popullatës, familjeve, traditave familjare, institucione shtetërore, institucioneve të cilat merren me sigurinë e të cilat veprojnë” – ka thënë Xheladini për KALLXO.com.

Tutje, Xheladini ka thënë se Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi gjatë vitit 2022 ka mbajtur gjashtë takime, e që sipas tij, nuk është raportuar për asnjë rast të ekstremizmit, radikalizmit apo terrorizmit.

“Kështu që, meritë ka edhe arsimi, institucionet shëndetësore dhe normal kleri fetar, imamët, të cilët në xhamia i përmendin ppothuajse çdo hetë këto. Gjithashtu në disa xhamia bëhet mësimi fetar, ku e dini që në Kuran shkruan që këto gjëra nuk i përkasin fesë islame, imamëve dhe i lufton këto dukuri. Të githa këto kanë ndiku që ne të jemi një komunë shumë e qetë sa i përket këtij drejtimi” – ka thënë kryetari i Dragashit.

Po ashtu, Xheladini ka bërë të ditur se Komuna e tij ka filluar përgaditjet për formimin e Këshillave Lokal për Sigurinë në Bashkësi. Ai ka thënë se në këto Këshilla do të përfshihen përfaqësues e të gjitha fshatrave dhe lagjeve të Dragashit.

Xheladini ka bërë të ditur se gjatë këtij viti, gjithashtu janë mbajtur edhe disa ligjërata për ekstremizmin, dhunën në familje dhe përdorimin e substancave narkotike në shkollat e mesme.

“Kemi filluar edhe përgaditjet për formimin e Këshillave Lokal për Siguri në Bashkësi. Gjatë këtij viti ne kemi mbajtur takime, kemi mbajtur ligjërata për ekstremizmin, dhunën në familje, përdorimin e substancave narkotike në shkollat e mesme. Këto ligjërata i kanë mbajtur këto organizata që kanë qenë të specializiuara për këtë çështje, të cilat kanë marrë leje prej ministrisë dhe kanë marrë miratimin e drejtorit të Arsimit” – ka thënë Xheladini.

Nga 11 shkolla fillore dhe një të mesme që ka komuna e Dragashit, nuk e ka asnjë psikolog të angazhuar.

Xheladini është arsyetuar se nuk ka lejuar ministria angazhimin e psikologëve.

“Nuk kemi pasur të drejtë të pranojmë psikolog nëpët shkolla, sepse nuk ka qenë në organogram, ministria nuk na ka leju. Këtë vit drejtori i Arsimit ka bërë kërkesë që të punësojmë psikolog. Unë vazhdimisht kam kërkuar nga organizatat e huaja që me financu së paku një apo dy psikolog. E kemi një projekt tash, ku na është premtuar që do të na financohet 15 zyrtar dhe në këtë drejtim duhet të bëjmë kërkesë edhe për psikolog” – ka bërë të ditur Xheladini.

Tutje, Xheladini ka thënë se kamerat e sigurisë janë të vendosura nëpër gjithë shkollat e komunës dhe është bërë ndarja e mjeteve për mirëmbajtjen e tyre.

“Kamerat e sigurisë i kemi të vendosura nëpër të gjitha shkollat, edhe kemi nda mjete për mirëmbajtjen e tyre. E bëjmë mirëmbajtjen e kamerave që janë të vendosura në qendër të komunës, edhe bashkëpunojmë me polici në këtë drejtim. Por nëpër fshatra nuk kemi kamera, vetëm nëpër institucione publike” – ka bërë të ditur ai.

Ndërsa në muajin korrik të vitit 2022, Komuna e Dragashit ka nënshkruar një kontratë për instalimin e kamerave në objektin e ri shkollor në fshatin Brezne.

Kurse ai ka thënë se edhe për ndriçimi publik këtë vit janë bërë investime.

“Ndriçimi publik kemi nda mjete, edhe për investime kapitale. Sivjet i kemi bërë ndriqimin publik të dy fshatrave më të mëdha të komunës tonë Verllosan dhe fshatit Brezne. Kemi vendosur që pagesën e rrymës ta bëjë komuna, kemi ndriçimin publik nëpër qytet të përfunduar dhe kemi kompaninë që mirëmban dhe çdo vit ndajmë nga 10 mijë euro për mirëmbjatjen e ndriçimit publik”.

Për këtë qëllim, në dhjetor është nënshkruar kontrata për ‘Sanimin e rrjetit të ndriçimit publik në fshatin Brod’. Në nëntor është nënshkruar kontrata për ‘Ndërtimin e ndriçimit publik në fshatin Bresanë.

Në muajin gusht është nënshkruar kontrata për ndriqimin publik ‘në rruga Luftëtarët e UÇK-së në fshatin Brezne’. Ndërsa po ashtu në muajin gusht është nënshkruar një tjetër kontratë për ‘Ndërtimi i ndriqimit në fshatin Shajne’.

“Për vitin e ardhshëm kemi të planifikuar eedhe për dy fshatra, por me sa e di unë shumë fshatra në mënyrë vullnetare e kanë bo ndriqimin publik”.

Kurse në anën tjetër, në lidhje me qentë endacak, Xheladini ka thënë se janë ndarë 10 mijë euro për vitin e ardhshëm, por që sipas tiij, problemi është më i madh se sa problem lokal.

“Me qentë endacak na ka përfundu kontrata. Kemi problem, për shkak të ligjit. Ne kemi nda 10 mijë euro për vitin e ardhshëm për trajtimin e qenve endacakë, por në bashkëpunim me asociacionin e komunave dhe ministrinë e Financave, jemi në përpjekje për gjetjen e një zgjidhje shtetërore” – ka thënë Xheladini.