Jeta ne Komune - Lutfi Haziri perballe Jeta Xharres - Komuna Gjilan - Foto:Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Lutfi Haziri përballë Jeta Xharrës - LIVE

I ftuari i radhës në debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës, është kryetari i Komunës së Gjilanit nga radhët e LDK-së, Lutfi Haziri.

Në debatin e sontëm Haziri do të ballafaqohet me premtimet e tij të dhëna në fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2013 dhe 2017, punën e përfunduara deri më tani në këtë mandat, si dhe punët e mbetura deri në fund të mandatit 4 vjeçar.

Haziri do të sfidohet me mungesën e ujit të pijshëm, kutërbimin e lumenjëve nga derdhja e kanalizimit dhe deponitë ilegale.

I pari i Gjilanit do të pyetet edhe për politizimin e shkollave në Gjilan.

Tek pyetjet nga ‘Zëri i Qytetarëve’, Haziri do t’u përgjigjet halleve të qytetarëve me nevoja të veçanta që nuk kanë qasje nëpër institucione lokale, mungesën e mjeteve shtesë për mbajtjen e mësimit në për shkolla, mos-asfaltimin e rrugës së Kumanovës dhe asaj “Qefsere Salihu” në lagjen Arbëria dhe po ashtu me mungesën e ujit të pijshëm në Pogragjë dhe Livoç të Epërm.

Në fund të emisionit, do të shfaqen dy shembuj pozitivë të Gjilanit, ndërtimi i pasqyrës së mençur nga studenti gjilanas Emin Emini dhe aktivizmi i banorëve të Zhegrës për pastrimin dhe mirëmbajtjen e fshatit.

Përveç kryetarit Haziri, prezent në studio do të jenë edhe asamblistët: Riza Abdyli dhe Isa Agushi nga PDK, Nevzad Isufi dhe Anila Tusha nga Lëvizja Vetëvendosje, Avdyl Aliu nga LDK dhe përmes platformës ZOOM do të jetë aktivistja e shoqërisë civile, Arjeta Maka.