Zyrtari Kryesor i Financave dhe Thesarit në Telekomin ofron dorëheqjen e tij

Feim Kelmendi, ushtrues i detyrës së Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit në Telekomin e Kosova ka ofruar dorëheqjen e tij Bordit të Drejtorëve.

Ai në një letër të gjatë ka dhënë arsyet e tij që e kanë shtyrë që të ofrojë dorëheqjen e tij.

“Sot pranova procesverbalin e Mbledhjes së të Bordit të Drejtoreve që udhëhiqni ju tash e një javë. Ndihem tepër i SHOKUAR, I ZHGENJYER por edhe I POSHTËRUAR nga ato që ju keni vlerësuar për punën time gjatë këtyre muajve. Konstatimi juaj që unë paskam treguar NEGLIZHENCË TË SKAJSHME sepse nuk paskam kryer pagesa në vlerë prej 3.3 milionë € nga data 14/07/2020 kur kemi marrë njoftimin për refuzim të prapësimit të urdhrit përmbarimor deri në mëngjesin e datës 15/07/2020 kur përmbaruesi ka urdhëruar bankat për bllokim të llogarive, në mënyrë që të shmangi tërheqjen e dhunshme të parave nga llogaritë bankare, më bën të ndihem tepër i shokuar, i zhgënjyer dhe i poshtëruar”, ka shkruar Kelmendi.

Letra e plotë e Kelmendit, drejtuar Bordit të Telekomit

Pasi mundohesh me dhënë çdo gjë nga vetja për tre muaj me radhë, çdo ditë të muajt, deri në orët e vona të mesnatës, aq sa as gjumin nuk e bën si duhet vjen momenti me të vlerësu njerëz të cilët për të arritur qëllimet e tyre mundohen fillimisht t’i denigrojnë ato vlera e parime që i ke kultivu krejt jetën.

Normalisht që prekjen në vlerat që unë i konsideroj të shenjta nuk ja toleroj askujt me asnjë çmim dhe asnjë kusht, e aq më pak njerëzve të padijshëm që instalohen dhe u shërbejnë grupeve mafioze dhe nëntokës.

Të nderuar,

Nga data 27/04/2020 kur jam emëruar në pozitën e UD i Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit, jam angazhuar me tërë kapacitetin tim profesional, me krejt vullnetin e mundshëm dhe nuk kam kursyer asgjë nga vetja ime që të bëjë me të mirën e mundshme për Telekomin e Kosovës, gjatë këtyre muajve kam punuar çdo ditë të muajt deri në orët e vona, si dite pune ashtu edhe vikendeve dhe festave.

Gjendja financiare në të cilën e kam gjetur Telekomin ka qenë më e keqja e mundshme, e përcjellë me borxhe të larta, mungesë të mjeteve financiare, mos pagese me muaj të tërë të shërbimeve esenciale si: energjia elektrike, qiratë e antenave (shumë prej tyre të ç`kyçura dhunshëm si pasojë e pagesave selektive), qiratë e pikave shitëse, mos pagesë të tatimeve dhe kontribueve pensionale me muaj të tërë, mos pagesë të faturave për sigurime shëndetësore (përfshirë edhe paratë të cilët u janë ndal punëtorëve nga pagat), mos kthim i përgjigjeve të kreditorëve që nuk janë paguar me muaj të tërë, mos ndërmarrje të masave për inkasim të borxheve me muaj dhe vite të tëra.

Që nga dita e parë kam filluar maksimalisht identifikimin e secilit problem dhe kam marrë iniciativa konkrete për zgjidhjen e tyre, falë bashkëpunimit të sinqertë nga UD Kryeshefes Ekzekutive, Drejtorëve të Departamenteve dhe secilin staf të tyre e veçmas stafin e Departamentit të Financave, shumë nga këto probleme kemi filluar të i trajtojmë menjëherë, disa nga këto probleme i kemi zgjidhur, disa janë në proces e disa do të vazhdojnë të zgjidhen.

Gjatë kësaj kohe kemi arritur:

– Vëmë rregull dhe prioritet në pagesat e shërbimeve esenciale: energjia elektrike, qiratë e antenave dhe objekteve.

– Pasi kem ngritur çështjen e qirave të antenave tek Drejtori Teknik, menjëherë ka filluar dhe ka pasur sukses që shumë prej tyre të rikontraktohen me çmime më të lira.

– Kemi identifikuar dhe pamundësuar në shumë raste pagesat e dyfishta të energjisë elektrike të antenave (dukur jo e rrallë në të kaluarën).

– Kemi arritur të kthejmë besimin tek shumë kreditor lidhur me obligimet që kemi ndaj tyre.

– Kemi arritur të fusim në riprogramim dhe arkëtim të borxheve me klient të mëdhenj që nuk ka paguar fatura me vite (Xxxx rreth borxh rreth 100,000.00€).

– Kemi inkasuar borxh përmes konfiskimit të garancionit bankar në limitet e fundit kohore ndaj klientit që nuk ka paguar fatura 1 vit rresht (Xxxx 70,000.00€)

– Pas rekomandimit që i është dhënë UD KE për reduktim të shpenzimeve, UD KE ka ndërprerë kontrata të marketingut me portale dhe media (që efektivisht nuk kanë pasur asnjë rol në biznesin e Telekomit – rreth 30,000.00€ në muaj).

– Pas rekomandimit që i është dhënë UD KE për reduktim të shpenzimeve, UD KE ka ndërprerë kontratën e të sigurimit shëndetësorë (rreth 60,000.00€ në muaj).

– Pas përpjekeve të pandërprera kemi arritur të bindim ATK-në për njohjen si të rimbursueshme 1.6 milion € TVSH që nuk ka arritur të zgjidhet me vite të tëra.

– Me propozimin e përbashkët me UD KE kemi marrë aprovimin nga BiD për zbritje e pagave të nga 60% për zyrtarët e lartë deri në 5% për punëtorët me paga të ulëta (kursimi mujor rreth 300,000.00€).

– Me shumë angazhim, përgaditje, analizim dhe dokumentim detaj të raporteve mbi gjendjen e kompanisë, kemi arritur të bindim Ministrinë e linjës që të na alokohet ndihma për likuditet në vlerë prej 4,5 milionë € (duke u bërë ndërmarrja që kemi përfituar mëse shumti nga masat e Qeverisë).

– Kemi ngritur dhe argumentuar tek UD KE dhe ish BiD çështje të kontratave dhe dukurive që kanë dëmtuar Telekomin dhe të njëjtat janë dërguar në organet e Prokurorisë.

– Kemi bërë dhe jemi të vazhdimit të përpjekjeve të vazhdueshme për uljen e shpenzimeve nga kontratat e dëmshme të provizioneve me Xxxx (me përpjekjet tona kemi arritur të shmangim disa nga % provizioneve të pakuptimta)

– Lista është edhe e gjatë…

– Kam qëndruar në vendin e punës me orë të tera, deri në mesnate pothuaj çdo ditë gjatë gjithë kësaj kohë për të analizuar çdo detaj financiar për të shqyrtuar çdo mundësi për të mirën e Telekomit.

Këtë gjë e kam bërë me vullnet dhe përkushtim maksimal sepse e kam konsideruar dhe konsideroj Telekomin si shtëpinë time të dytë në mos të parën, nga paga e secilës kam jetuar me dinjitet gjithë këto vite unë dhe familja ime.

Qe nga viti 2006 kur jam punësuar ne këtë kompani kurrë nuk kam përfituar asnjë privilegj përveç pagës se dinjitetshme, gjithmonë jam munduar te beje me te mirën aq sa me është krijuar hapësirë dhe është kërkuar nga unë.

Edhe gjatë këtyre tre muajve sa kam kryer detyrën e UD të Zyrtarit Kryesor të Financave, përveç pagës që kam marrë me rreth 60% zbritje (që nga muaji i parë) krahasuar me paraardhësit e mi, nuk e kam shfrytëzuar asnjë privilegj ose beneficion tjetër, pra shpenzimet e Telekomit përveç pagës për pozitën time kanë qenë 0.00 €.

Sot pranova procesverbalin e Mbledhjes së të Bordit të Drejtoreve që udhëhiqni ju tash e një javë.

Ndihem tepër i SHOKUAR, I ZHGENJYER por edhe I POSHTËRUAR nga ato që ju keni vlerësuar për punën time gjatë këtyre muajve.

Konstatimi juaj që unë paskam treguar NEGLIZHENCË TË SKAJSHME sepse nuk paskam kryer pagesa në vlerë prej 3.3 milionë € nga data 14/07/2020 kur kemi marrë njoftimin për refuzim të prapësimit të urdhrit përmbarimor deri në mëngjesin e datës 15/07/2020 kur përmbaruesi ka urdhëruar bankat për bllokim të llogarive, në mënyrë që të shmangi tërheqjen e dhunshme të parave nga llogaritë bankare, më bën të ndihem tepër i shokuar, i zhgënjyer dhe i poshtëruar.

Po ashtu konstatimi juaj që paskam treguar JO KOMPETENCË DHE PASIVITET në ushtrimin e detyrave si UD ZKFTH, më bën të ndihem aq keq sa e kam të pamundur që të vazhdoj edhe me tutje ushtrimin e kësaj detyre.

Unë nuk jam person që pozitën e vlerësoj si privilegj, të cilën këmbënguli ta mbaj me çdo kusht, qoftë edhe duke u zhgarravitur dhe gjunjëzuar para çdo kujt, e aq më pak ndaj njerëzve mos vlerësues dhe të cilën nuk kanë besim me kualitetet e mia personale dhe profesionale, pozita për mua nënkupton ndershmëri, vullnet, kompetencë profesionale dhe vlerësim e besim ndaj atyre që u raportoj.

Prandaj, duke marrë parasysh mos besimin tuaj të thellë në punën, përkushtimin, vullnetin dhe kompetencën time profesionale kërkoj nga ju që në mbledhjen e radhës së BiD të APROVONI DORËHEQJEN time nga pozita e UD ZKFTH dhe të mundësoni kthimin në pozitën që kam ushtruar para emërimit në këtë pozitë.

Gjatë kësaj periudhe ndjehem shumë mirë që me është dhënë mundësia që sadopak të jap kontributin tim modest për Telekomin në këtë periudhe të vështirë financiare dhe në kushtet e pandemisë Covid 19.

Po ashtu ndjehem tepër keq për fëmijët e mi që u kam munguar gjatë këtyre muajve aq më tepër që puna ime duhet të vlerësohet nga njerëz që në vlerësimin tim nuk kanë qëllime të mira për Telekomin por kanë ardhur me mision për të u shërbyer grupeve që kanë grabitur dhe vazhdojnë të kenë pretendime të grabisin akoma Telekomin.

Sidoqoftë unë do të vazhdojë të punoj ndershëm, me vullnet dhe përkushtim siç kam bërë gjithmonë për Telekomin, ndërsa juve iu dëshiroj dështim në misionin dhe qëllimet tuaja jo të ndershme (sipas bindjes dhe vlerësimit tim).

VALA ËSHTË E KOSOVËS!

Me nderime,

Feim Kelmendi

UD Zyrtar Kryesor i Financave dhe Thesarit / Acting Chief Financial Officer