Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit reagojnë ndaj deklaratave të kryeministrit Kurti dhe ministres Haxhiu

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit kanë reaguar ndaj deklaratave të dhëna sot nga kryeminitri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

KPK dhe Prokurori i Shtetit kanë shprehur shqetësimin e thellë lidhur me “riciklimin” e vazhdueshëm të “deklaratave të pamatura e të paverifikuara ndaj sistemit prokurorial”.

Sipas tyre, kjo po bëhet vetëm për konsum dhe agjendë politike nga ana e kryeministrit Kurti.

“Faktikisht, këto prononcime publike të Kryeministrit dhe Ministres së Drejtësisë për parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale në Prokurori, demantohen tërësisht nga raportet zyrtare të sistemit prokurorial” – thuhet në reagim.

Dy institucionet thonë se nga raportet e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, sipas të dhënave për veprat penale për rastet e dhunës seksuale nga viti 2017 deri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, janë parashkruar 4 raste që kanë pasur të bëjnë me dhunën seksuale.

“Në këtë rast, theksojmë se informacionet e deklaruara sot nga Kryeministri janë të pasakta, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë krejtësisht tendencioze për sistemin prokurorial” – thuhet tutje në reagim.

“KPK dhe Prokurori i Shtetit ia bëjnë me dije Kryeministrit dhe Qeverisë se statistikat zyrtare nuk hartohen me paragjykime, por verifikohen, analizohen me profesionalizëm dhe miratohen në takimet e hapura për publikun nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës” – thuhet tutje në reagim.

“Për më tepër, ky deklarim i pasaktë dhe tendencioz i Kryeministrit, shpreh nevojën që Kryeministri i vendit të bashkëpunojë dhe bashkëveprojë me sistemin prokurorial në suaza të kompetencave përkatëse, duke respektuar normat dhe standardet e funksionimit demokratik të institucioneve në Republikën e Kosovës” – përfundon reagimi i KPK dhe Prokurorit të Shtetit.

Në një konferencë të përbashkët të mbajtur sot, kryeministri Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë përmendur shifra të aktgjykimeve për rastet e dhunës seksuale, të cilat kanë marrë dënime të ulëta ose janë parashkruar, duke kritikuar me këtë rast gjyqtarët dhe prokurorët.

(Ky artikull është edituar pas një emaili të ri të dërguar nga KPK dhe Prokurori i Shtetit)