VIDEO - Haxhiu: Procesi i zgjedhjes së kryeprokurorit, duhet dhe do të kthehet në pikën zero

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka komentuar propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për ta dërguar për herë të dytë emrin e Blerim Isufajt për dekretim tek presidentja Vjosa Osmani.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, Haxhiu ka thënë se ky proces duhet të kthehet dhe do të kthehet në pikën zero.

“Mbështesë dhe mirëpres letrën e Osmanit për mosdekretimin e Z. Isufajt si kryeprokuror i shtetit. Arsyet për këtë i ka përmendur edhe në letër presidentja Osmani, kryeprokurori i shtetit ka mandat 7 vite dhe sigurisht që ky proces duhet të jetë transparent, meritor dhe jo të ndikojnë grupet e interesit apo individ përbrenda sistemit në mënyrë që të sjellin një rezultat që dihet para se të ndodhë ai”- tha ajo.

Sipas saj ridërgimi i emrit të Isufajt nga KPK nuk ka bazë ligjore.

“Ne mbështesim presidenten Osmani në letrën që ka adresuar. Propozimi i njëjtë nga KPK nuk ka bazë as kushtetuese e as  ligjore. KPK nuk e di se ku është bazuar kur e ka dërguar emrin e njëjtë te presidentja Osmani sepse ky proces duhet të kthehet në pikën zero dhe do të kthehet në pikën zero”- tha ajo.

Më 17 tetor, presidentja Vjosa Osmani njoftoi se nuk do ta dekretoj Blerim Isufajn kryeprokuror të shtetit për shkak të shkeljeve në procesin e zgjedhjes së tij.

Më 1 nëntor, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka dorëzuar për të dytën herë emrin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale Blerim Isufajt, për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Blerim Isufaj ishte votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit me 11 vota pro.

Emri i tij ishte propozuar që nga 16 prilli i vitit të kaluar por që dekretimi i Isufajt kishte ngecur në zyrën e Presidentes Osmani.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN që nga nisja deri në përfundim ka monitoruar procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit. Për të garantuar transparencë të procesit, KPK garantoi monitorim nga shoqëria civile ndërsa koncept-dokumentet e kandidatëve u publikuan në ueb-faqe dhe intervistat u transmetuan në televizionin publik.

Sipas BIRN, në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka arritur t’i përmbushë në plotëni standardet e transparencës, ndërsa vendimet pasuese pas ankesave treguan për mungesë të një standardi të unifikuar në vlerësimin e kandidatëve.

Transparenca e procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorit “tregoi shumëçka, por nuk tregoi çështjen kryesore”, pasi procesi u mbyll për publikun dhe monitoruesit në fazën e tij finale –  në momentin kur antarët kryen vlerësimin (poentimin) e kandidatëve dhe erdhi momenti i kumtimit të rezultateve.

Presidentja nuk e dekreton Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit