Përkujtohet masakra në tregun e Mitrovicës

Familjarë të viktimave, qytetarë të shumtë, përfaqësues të autoriteteve lokale dhe institucioneve tjera në Mitrovicë, kanë përkujtuar viktimat e masakrës që ka ndodhur 22 vjet më parë.

Forcat serbe në tregun e mbushur plot njerëz, atë kohë  kishin hedhur minahedhës, me ç’rast të vdekur kanë mbetur gjashtë shqiptarë, duke përfshirë fëmijë dhe gra, si dhe janë plagosur 128 të tjerë.

Shtatë persona, përfshirë burra, gra e një fëmijë, ishin vrarë e 128 janë plagosur në këtë masakër në mes të tregut.

Në Mitrovicë çdo vit nga familjarët, përfaqësuesit institucional të komunës dhe qytetarë te tjerë, përkujtohen viktimat e kësaj masakre.

Ndërsa kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, para të pranishmëve tha se këta njerëz, por edhe të gjithë të tjerët që dhanë jetën për Kosovën, meritojnë përulje dhe respekt të përjetshëm, duke kërkuar nga autoritete që të veprojnë dhe autorët e kësaj masakre të dalin para drejtësisë.

“Këta njerëz, por edhe shumë të tjerë që kanë dhënë jetën për këtë vend pa fajin e tyre, nga një agresor shekullor, i cili dëshiron të mbetet agresor, dhe ende dëshiron që të ketë dorë në Kosovë, ne ju themi stop atyre, dhe kërkojmë nga institucionet më të larta shtetërore dhe ato botërore, që këta njerëz të cilët kanë shkaktuar këto viktima, të përgjigjen para drejtësisë. Kjo është kërkesa jonë legjitime dhe njerëzore”, ka thënë Bahtiri.