Dosja e Gjykatës Speciale ndaj Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit

Më 06 tetor 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte njoftuar se ka arrestuar në Kosovë, Ismet Bahtjarin dhe Sabit Januzin në bazë të një fletarrestimi dhe urdhëri për transferim të lëshuar nga gjykatësi i procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari akuzohen për vepra të ndryshme penale që përfshijnë kërcënimin e rëndë, veprimin e përbashkët të një grupi personash për të penguar persona zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, dhe frikësimin gjatë procedurës penale.

Specialja arreston dy persona në Kosovë, të dyshuar për pengim të drejtësisë

Sipas aktakuzës, veprat përfshijnë ngjarjet që kanë ndodhur nga 5 prilli deri më 12 prill 2023. Aktakuza e publikuar, specifikon veprimet dhe kontaktet që kanë ndodhur midis Januzit, Bahtjarit, dhe personave të tjerë me emra që janë të redaktuar në aktakuzën e publikuar dhe dëshmitarit 1 që është i përfshirë në procesin zyrtar para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Versionin publik të redaktuar të aktakuzës mund ta gjeni KETU.

Çka përmban aktakuza?

Aktakuza përmban këto pika thelbësore:

Kërcënimi dhe Veprimi i Përbashkët: Sipas aktakuzës, Januzi dhe Bahtari janë akuzuar për tentativën për të penguar persona zyrtarë, përfshirë gjykatës, prokurorë, dhe figura të tjera të drejtësisë, në kryerjen e detyrave zyrtare. Sipas aktakuzës, kjo është bërë përmes kërcënimit të rëndë dhe pjesëmarrjes në një grup personash për të ndikuar negativisht në detyrat e personave zyrtarë. Aktakuza argumenton se Januzi dhe Bahtjari, në bashkërendim me të tjerët, kanë tentuar të pengojnë persona zyrtarë në detyrat e tyre zyrtare midis datave 5 dhe 12 prill 2023.

Aktakuza tutje shtjellon edhe pikën e kërcënimit dhe veprimit individual, se Januzi dhe Bahtjari janë akuzuar se kanë takuar dëshmitarin 1 dhe kanë tentuar që i njëjti të mos jepte dëshmi, të jepte dëshmi të rreme, ose të tërhiqte dëshminë në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara. Ata kanë shfaqur sjellje dhe gjuhë kërcënuese për ta frikësuar dëshmitarin.

Për pikën e aktakuzës lidhur me Frikësimin gjatë procedurës penale: Januzi dhe Bahtari janë akuzuar se kanë përdorur kërcënime të rënda ose ndonjë mënyrë tjetër të detyrimit për të ndikuar dëshmitarin që të mos jepte deklaratë të vërtetë kundrejt policisë, prokurorit, ose gjykatësit lidhur me procedurat penale.

Aktakuza përcakton se Januzi dhe Bahtari mbajnë përgjegjësi penale individuale për veprat penale të përfshira në akuzë, përmes formave të përgjegjësisë penale të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale (KPK) dhe ligjet relevante.

Januzi dhe Bahtari akuzohen për kryerjen e veprave penale të përcaktuara dhe/ose tentativën për të kryer ato vepra.

Sipas aktakuzës, Bahtjari dhe Januzi akuzohen për Pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, si dhe me veprën penale të frikësimit gjatë procedurës penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike.

Të gjitha këto veprime sipas aktakuzës, thuhet të kenë ndodhur midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023.

Të gjitha këto janë vepra penale kundër rendit publik të ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35, 387, 401 (1), (2) dhe (5) të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës dhe neneve 15(2) dhe 16(3) të Ligjit.

Sipas njoftimit, Bahtjari dhe Januzi u arrestuan nën dyshimet për krime kundër drejtësisë, përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në njoftim theksohej se të dyshuarit u përpoqën të bindin një dëshmitar që të mos japë dëshmi në procedurat e Dhomave të Specializuara.

Zyra e Prokurorit të Specializuar thotë se e merr jashtëzakonisht seriozisht frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen ndaj dëshmitarëve, dhe pengimin e drejtësisë, dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast.