Foto: Policia e Shtetit Ilustrim

Policia zbulon disa raste të vjedhjeve në Vlorë, të dyshuar janë babai dhe djali

14 raste të vjedhjeve në Vlorë janë zbardhur nga Policia e Shtetit ndërsa po vazhdojnë operacionet për goditjen e kësaj veprimtarie.

Pas një hetimi disa javor Policia e Shtetit ka arritur që të zbuloj se 52 vjeçari T.Ç., dhe djali i tij i mitur, përgjatë periudhës tetor 2022 deri në 11 mars 2023, në fshatin Nartë kanë kryer 14 vjedhje banesash, gjatë të cilave kanë vjedhur orendi shtëpiake, vegla pune, panele diellore, ventilatorë e sende të tjera.

Në kuadër të operacionit të koduar “Storm3” është vënë në pranga 52 vjeçari dhe janë proceduar penalisht dy të tjerë, të cilët vepronin në formën e grupit për realizimin e vjedhjeve.

52 vjeçari, T. Ç., banues në Vlorë, po dyshohet për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe “Shtytja e të miturit në krim”.

Për djalin 14-vjeçar të shtetasit T. Ç., u ngritën akuzat për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu nisi procedimi penal për shtetasin H. D., banues në Vlorë, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose i mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale“.

Këta shtetas sendet e vjedhura i grumbullonin në shtëpinë e shtetasit H. D, për ti shitur me qëllim përfitimin e vlerave monetare.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Policia e Shtetit ka njoftuar se materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.