Shtylla te ndricimit publik

Komuna e Prishtinës vendos shtylla të reja për ndriçim publik, tregon përse largoi të vjetrat

Nga muaji mars Komuna e Prishtinës ka nisur me zgjerim dhe modernizim të rrjetit të ndriçimit publik në kryeqytet.

Tashmë në shumë pjesë të kryeqytetit, Komuna ka larguar shtyllat e vjetra të ndriçimit publik duke i zëvendësuar me tjera.

Po ashtu, shtrimi i rrjetit ndriçues është bërë edhe në zona ku ka munguar më herët, e gjitha kjo pas kërkesave dhe bashkëbisedimeve me qytetarë të lagjeve, por edhe me zonat rurale.

Për këtë projekt të zgjerimit dhe modernizimit të rrjetit të ndriçimit publik, Komuna në muajin shkurt nënshkroi kontratë në vlerë 200 mijë euro.

Shtylla të reja tashmë janë vënë tek rrethi me flamur, përgjatë lagjes ‘Ulpiana’  dhe në ato zona ku ka pas mungesë të ndriçimit.

Bashkim Sadiku, zyrtar i lartë i energjetikës në Komunën e Prishtinës për KALLXO.com ka bërë të ditur se shtyllat kanë qenë të vjetra mbi 20 vite dhe të rrezikshme për qytetarët.

“Shtyllat e vjetra gjenden në autoparkun e Komunës së Prishtinës tek ETC. Kanë qenë shumë të nevojshme të ndërrohen sepse janë të vjetra- mbi 20 vite dhe shumica të kalbura dhe me rrezikshmëri për qytetarët”- ka thënë Sadiku për KALLXO.com

Tutje, ai theksoi se janë duke realizuar zgjerimin e ndriçimit publik në fshatra dhe qytet. Sipas tij, rrjetin janë duke e shtrirë edhe në fshatra si shembull: Teneshdolli , Bërnicë e Poshtme, Trudë, Vranidoll, Barilevë .

Gjatë vitit të kaluar komuna ka bërë të ditur se do e ketë prioritet zgjerimin e ndriçimit në mënyrë që të ofrohet edhe siguri më e madhe për qytetarët.