Ekskluzive: Dosja e Prokurorisë ndaj të akuzuarve për Projektin në Lakrishtë
Prokuroria Speciale sot më datë 10.06.2024 njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj 8 personave me inicialet: H. H., L. M., A. J., Xh. L., B. P., D. K., G. Sh., dhe V. M., për keqpërdorim të detyrës zyrtare, lidhur me ndërtimin e një kompleksi banesor në lagjen “Lakërishte” të kryeqytetit, për të cilën KALLXO ka bërë hulumtim.
KALLXO ka siguruar dosjen e Prokurorisë Speciale në të cilën përshkruhen veprimet e të akuzuarve lidhur më këtë rast.
Sipas kësaj dosje, të akuzuarit i kanë tejkaluar kompetencat dhe kanë ndërmarrë veprime në bazë të cilave kanë mundësuar që prona publike e destinuar për interes publik të tjetërsohet në pronë private.
Kështu, prona sipas Prokurorisë, është mundësuar t’i kalohet Grupit Ofertues të përzgjedhur si bashkinvestitor të realizimit të Projektit të Ndërmarrjes Publike Banesore për ndërtim në lagjen “Lakrishtë”.
Sipas Prokurorisë, me këtë i është shkaktuar dëm NPB-së dhe Komunës së Prishtinës si aksionare 100% e kësaj ndërmarrjeje, në vlerë të përgjithshme prej 28 milionë e 700 euro.
Sipas dosjes, dëmi i shkatuar përfshin edhe shumën e paguar në emër të taksës për leje ndërtimore në shumë prej 376 mijë e 346 euro.
Këtë, të pandehurit, sipas Prokurorisë e kanë kryer me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për personat e tretë dhe në dëm të pronës publike.
Konteksti kohor i këtyre veprimeve, sipas prokurorisë janë vitet 2020-2021.
Përveç akuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare, H. H. në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të NPB-së akuzohet edhe për lidhje të kontratës së dëmshme, duke mundësuar tjetërsimin e pronës publike “në tërësi në shfrytëzim të përhershëm bashkinvestitorit” pa asnjë bazë ligjore.
“Në atë periudhë kohore, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për personat e tretë e në dëm të pronës publike, e kishte lidhur kontratën me Grupin Ofertues, kontratë kjo për të cilën e ka ditur se është e dëmshme…”– përshkruhet në dosjen e Prokurorisë.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, të pandehurit nuk kishin ndjekur asnjë procedurë të duhur ligjore, dhe të njëjtit i kishin ndërmarrë këto veprime duke qenë në dijeni të plotë se po i shkaktonin dëm pronës publike.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, prona e cila është objekt akuze është sekuestruar me urdhër të Gjykatës.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria i ka propozuar Gjykatës që e njëjta pronë të konfiskohet dhe t’i kthehet pronës publike, kurse të akuzuarve t’u shqiptohen edhe si dënime plotësuese, që secili prej tyre në mënyrë solidare të bëjnë kompensimin e humbjes apo dëmit si dhe – të akuzuarëve t’u shqiptohet edhe masa e ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik.
Përveç propozimit që prona të konfiskohet prona dhe e njëjta t’i kthehet pronës publike, si dhe dënimeve plotësuese, Prokuroria ka propozuar që të anulohet kontrata e lartpëmendur.
Kjo aktakuzë është ngritur më 07.06.2024 nga prokurorja Ilirana Çollaku– Tafa.
Çka tregonte Hulumtimi i KALLXO?
Më 04.11.2021, në KALLXO.com ishte publikuar hulumtimi që pikërisht tregonte për projektin e dyshimtë të Ndërmarrjes Publike Banesore, në vlerë 120 milionë euro, për ndërtimin e një kompleksi banesor në lagjen “Lakërishte” të kryeqytetit.
Në këtë hulumtim tregohet se si ish-bordi i drejtorëve kishte shkarkuar kryshefin ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxhajn, në pretendimet për shkelje ligjore gjatë projektit në Lakërishte.
Vendimi për shkarkimin e kryeshefit nuk ishte protokuluar nga stafi i NPB-së dhe si rrjedhojë tre ditë më pas, aksionarët e Ndërmarrjes kishin shkarkuar dy anëtarët e Bordit.
Gjithashtu, në hulumtim tregohet për procedurat e dyshimta të përzgjedhjes së kompanive fituese, kufizimin e konkurencës, mungesën e transparencës si dhe shkaktimin e rrezikut ndaj banorëve për rreth tokës ku synohet ndërtimit i projektit, përmes ekspozimit ndaj materialeve me përmbajtje të azbestit.
KALLXO.com në vitin 2022 kishte raportuar se Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), kishin tentuar në mënyrë të fshehtë që të bëjnë caktimin e kufirit të pronave të tyre, në lagjen ‘Lakërishte’ të Prishtinës.
Caktimi i kufirit të pronës kishte pasur synim që t’i hapë rrugën projektit të dyshimtë të NPB-së në vlerë prej 120 milionë euro, për ndërtimin e këtij objekti.
Edhe pse kjo çështje ishte duke u hetuar nga Prokuroria dhe Ministria e Mjedisit e kishte pezulluar projektin, për shkak të skandalit me mbetje të azbestit në lokacionin ku po synohej ndërtimi, NPB dhe AKP kishin tentuar që të vazhdojnë procedurat.
E po ashtu edhe në 2021 ishte raportuar edhe për rebelimin e banorëve të “Lakrishtës”, kur në lagjen e tyre me shpejtësi dhe pa debat publik e panë të rrënohet një objekt me material asbesti, i cili vlerësohet të jetë kancerogjen.
Por, kjo nuk duket të ishte e vetmja gjë e kalbur në historinë e rrënimit dhe ndërtimit të kompleksit të ri banesor që planifikohet të bëhet aty nga Ndërmarrja Publike Banesore, NPB, e Komunës së Prishtinës.
Historia për të ndërtuar diçka të re në këtë pjese profitabile të Prishtinës nis me aksionarët e NPB-së, të cilët në fund të vitit të kaluar e ndërruan statutin e NPB-së dhe bënë rregullore të re, për t’i hapur rrugë këtij investimi. Pas ekspozimit të shkeljeve të bëra në këtë projekt dhe pezullimit të punës nga Ministria e Mjedisit, bordi i NPB-së mori vendim për të shkarkuar Hajdar Hoxhën, drejtorin e NPB-së.
Por, vendimi për shkarkim të kryeshefit nuk arriti të protokolohej për tri ditë. Kjo kohë u shfrytëzua nga aksionarët e NPB-së, Dren Kukaj, drejtor i mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës dhe Genc Sherifi, asamblisti i PSD-së, që të shkarkojnë bordin, duke e lënë në punë kryeshefin që të shtyjë përpara projektin ndërtimor, të cilin Ministria e Mjedisit e quan joligjor. Dy aksionarët e ndërmarrjes, të dy të lidhur me ish-partinë e Shpend Ahmetit, i kanë zëvendësuar katër anëtarët e shkarkuar të bordit me katër persona të tjerë, pa kurrfarë konkursi publik.
Krejt kjo ndodhi disa muaj para se Shpend Ahmeti, kryetari i Komunës, të dorëzojë mandatin si kryetar dhe të mos kthehet më pasi që nuk kandidonte për mandat të ri.
Hapja e udhës për këtë investim të kontestuar në tokën profitabile në qendër të Prishtinës në fund të mandadit të tij, kishte hapur debat për parregullsi të shumta që kishin filluar të hetohen nga Policia e Kosovës.